Lajme

Raporti i Bankës Botërore tregon se kur do të kthehet Kosova në gjendjen që ishte para pandemisë

Një raport i Bankës Botërore parasheh se Kosova do të arrijë gjendjen ekonomike që kishte para pandemisë tek në vitin 2022.

Sipas këtij raporti, rimëkëmbja ekonomike do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit, derisa rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4 përqind në periudhën afatmesme.

Rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale edhe në Kosovë: në përputhje me trendin global, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit. Rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4 përqind në periudhën afatmesme. Perspektiva e parashikuar bazohet mbi supozimet e relaksimit të kufizimeve të lëvizjes së udhëtarëve ndërmjet Evropës dhe Kosovës, pa masa të mëtejshme të rrepta të lëvizjes për frenimin e pandemisë në vend, një ringjallje të rritjes në Eurozonë, dhe një rritje në çmimet e metaleve bazë dhe mineraleve”, thuhet në komunikatën e BB’së.

Komunikata e plotë e Bankës Botërore:

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021,  pas recesionit të 2020-ës, më i rëndi  i regjistruar ndonjëherë në rajon. Pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik të rajonit në një nivel të vlerësuar prej -3.4 përqind në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të rritet me 4.4 përqind në vitin 2021. Më tutje, ritmi i rritjes ekonomike pritet të stabilizohet në 3.7 përqind përgjatë 2022 dhe 2023, ku efektet përcjellëse të pandemisë do të vijojnë të ngadalësojnë investimet dhe punësimin në rajon.

“Ne po shohim vërtet disa trende pozitive në rajon si rezultat i masave të  shpejta të ndërmarra nga shumë vende për të frenuar pasojat e rënda të pandemisë, por pasojat shkatërruese të pandemisë në sistemin shëndetësor dhe në ekonomi do të vijojnë të ndihen” thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Nisja e vaksinimit, e shoqëruar me përmirësime në drejtim të pritjeve, konsumit dhe tregtisë, gjithashtu do të ndihmojë në ruajtjen e këtij momenti, por vendet duhet të mbeten vigjilente në përpjekjet e tyre për të prezantuar dhe përforcuar politika që mundësojnë rritje ekonomike, mbrojnë rezultatet në fushën e shëndetësisë, dhe rrisin kapitalin njerëzor. “

Ekonomia e Kosovës shënoi tkurrjen e saj të parë në vitin 2020, që u nxit nga një rënie domethënëse e eksporteve të shërbimeve të udhëtimit, të ndërlidhura me diasporën, dhe nga rënia e investimeve. Tkurrja u zbut nga masat mbështetëse qeveritare, dhe nga rritja e remitancave dhe eksporteve të mallrave. Deficiti buxhetor u rrit më shumë se dyfish në vitin 2020, duke arritur 7.6 për qind të BPV-së në 2020, nga 2.9 për qind në 2019, i nxitur nga rënia e të hyrave dhe nga kostoja e masave për mbështetjen e rimëkëmbjes. Sektori financiar i Kosovës e përballoi mirë pandeminë. Deri në fund të vitit 2020, mjaftueshmëria e kapitalit ishte mbi kërkesat rregullatore dhe norma e kredive jo-performuese u rrit pak krahasuar me një vit më parë.

Rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale edhe në Kosovë: në përputhje me trendin global, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit. Rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4 përqind në periudhën afatmesme. Perspektiva e parashikuar bazohet mbi supozimet e relaksimit të kufizimeve të lëvizjes së udhëtarëve ndërmjet Evropës dhe Kosovës, pa masa të mëtejshme të rrepta të lëvizjes për frenimin e pandemisë në vend, një ringjallje të rritjes në Eurozonë, dhe një rritje në çmimet e metaleve bazë dhe mineraleve.

“Aktiviteti ekonomik pritet të fillojë të rritet në 2021, por rreziqet globale dhe të brendshme janë të konsiderueshme, ndër to vonesat në prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave, kufizimet e udhëtimit ndërkombëtar dhe rivendosja e masave të rrepta për frenimin e pandemisë”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Adresimi i pengesave strukturore afatgjata ndaj rritjes dhe investimi në kapitalin njerëzor kanë rëndësi jetike për të nxitur një rimëkëmbje dhe rritje të qëndrueshme”, shtoi ai.

Pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë mundur tërikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë – duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës. Megjithëse norma e papunësisë pësoi rënie – nga 13.5 për qind në 2019 në 12.6 për qind në 2020 – kjo erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së numrit të personave joaktivë, ndërsa numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020. Për më tepër, këto humbje prekën në mënyrë disproporcionale shtresat më të cënueshme të popullsisë në rajon, përfshirë gratë dhe të rinjtë – ku norma e papunësisë së të rinjve u rrit në 33.6 për qind në 2020, duke ndërprerë në këtë mënyrë trendin rënës të saj gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes. Të gjitha vendet e rajonit duhet të garantojnë pajisjen e sistemeve të tyre shëndetësore me burime të mjaftueshme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin, terapitë, pajisjet e mbrojtjes personale si dhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të kujdesit shëndetësor. Investimet në arsim, dixhitalizim dhe projekte të tjera në infrastrukturë si dhe iniciativat e gjelbërta duhet të kenë gjithashtu përparësi, pasi ato mund të përshpejtojnë tranzicionin e nevojshëm drejt uljes së varësisë ndaj karbonit, ndërsa vendet dalin nga situata e pandemisë.