Lajme Shqipëri

Rama: Kurrë s’e kam mbështetur ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka quajtur shpifje raportimet e mediumit gjerman, Derstandard, rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi, ku Edi Rama kishte thënë se është pro një marrëveshjeje që do përfshinte korrigjim kufijsh.

Rama ka thënë se një medium me reputacion të larë si Derstandard, “sillet si një shpërndarës i lajmeve të rreme”.

“Unë kurrë s’kam thënë ndonjë gjë në lidhje me ‘non-paperin’ dhe hartën, dhe kurrë s’kam mbështetur ndonjë ndryshim kufiri përgjatë vijave etnike mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Rama në Twitter.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama u tha mediave shqiptare se ai kishte parë letrën “non-paperin” dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufirit. Vetë Rama, së bashku me Vuçiç dhe lobistë, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë”, thuhet në tekstin e mediumit gjerman të cilit i ka reaguar Rama.

Kur ishte pyetur rreth idesë së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për ndryshimin e kufijve, Rama kishte thënë se s’është ide që duhet përjashtuar.

“Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar. Hashim Thaçi është president i vendit dhe komandant i Ushtrisë. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar, është gomar”, kishte thënë Rama.