Lajme

Rama: Krahasimi i “Ballkanit të Hapur” me “Jugosllavinë e re” është absurditet

Krahasimi i iniciativës së “Ballkanit të Hapur”

Krahasimi i iniciativës së “Ballkanit të Hapur” me ish-Jugosllavinë, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është i panevojshëm dhe i pakuptimtë, transmeton Insajderi.com.

Sipas tij, me këtë krahasim po bëhet lojë fjalësh për të cenuar këtë nismë.

“Qarkullimi i lirë i qytetarëve, i mallrave dhe i kapitaleve ishte diçka e siguruar në Jugosllavi. Atëherë i bie që BE-ja na qenka Jugosllavia ndërkohë. Ky është një krahasim absurd, i panevojshëm dhe i pakuptimtë, por thjesht një lojë fjalësh për të cenuar pikërisht këtë nismë”, ka thënë ai këtë të enjte para deputetëve.

Kështu u shpreh ai në interpelancën e thirrur nga deputeti Tritan Shehu për “Ballkanin e Hapur”.

Më tej, Rama u shpreh se kjo nismë është interes kombëtar dhe publik.

“Jo Rusia, jo Kina, jo dreqi dhe shejtani. Sesi mund të jetë një vizion rus apo kinez vizioni i Procesit të Berlinit, unë nuk e di. Unë di se “Ballkani i Hapur” është një njësi zbatimi e shteteve të Procesit të Berlinit. Kosova humbet një shans edhe për atë çka përbën problemin më të madh që ne kemi me Serbinë”, përfundoi ai. /Insajderi.com