Shqipëri

Rama: Do shkojmë deri në 30 mijë vaksinime në ditë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar mesditën e kësaj të marte qendrën e vaksinimit në Laç, ndërsa ka qenë i shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Mes të tjerash Rama u shpreh se vendi mund të shkojë lirshëm deri në 30 mijë vaksinime në ditë.

 “Tani që kemi siguruar sasitë, me 20 mijëshin e arritur dje jemi vetëm në fillim dhe besoj mund të shkojmë lirshëm në 30 mijë vaksinime në ditë. Pa problem! Që do të thotë që në një kohë shumë më të shpejtë nga çfarë ne e kishim parashikuar mund të bëjmë dozën e parë masivisht dhe të mbyllin pjesën më vulnerabël. Pastaj pjesa tjetër na jep më shumë kohë”, tha Rama.

Ndërkohë, Manastirliu theksoi se vetëm në Kurbin janë kryer 600 vaksinime.

“Sot deri tani janë bërë 90 vaksinime, ndërkohë që po vijojmë edhe në qendrat shëndetësore. Aktualisht kemi bërë mbi 600 vaksina në Kurbin. Kemi ecur mirë, ndërkohë që në të gjithë vendin, vetëm në dy ditët e para janë kryer mbi 30 mijë vaksinime. Jemi në një nivel të mirë sepse në total bashkë me dozat e dyta, sot shkojmë 100 mijë vaksinime nga dita e parë që kemi filluar. E rëndësishme është që nuk po vaksinojmë vetëm në qendrat e përqendruara, po vaksinojmë në qytetet, në fshat, kudo. Të gjithë të moshuarit, sidomos ata të moshës +85, janë duke u vaksinuar afër qendrave shëndetësore duke qenë afër vendbanimit. Gjithashtu po vaksinojmë në shtëpi, për të gjithë ata që janë të pamundur për të lëvizur.

Në fakt, 1 mijë e 100 vaksinatorë në të gjithë vendin janë të angazhuar për të arritur targetin e vendosur. Treguam që kemi kapacitete për të vaksinuar në mënyrë të shpejtë dhe efektive”, tha Manastirliu.