Lajme

QEVERISJA E KEQE/ Tirana, kryeqyteti i trafikut, stresit dhe ajrit të ndotur

Prej muajsh lëvizja me makinë në Tiranë është k

Prej muajsh lëvizja me makinë në Tiranë është kthyer në mallkim. Stres, vonesa, kosto, dhe ajër i ndotur. Erion Veliaj ka krijuar një ferr të përditshëm. Kryeqyteti është kthyer në vendin më armiqësor për banorët dhe ata që shkojnë e vijnë çdo ditë. Mungesë rrugësh, dhe gjoba pa fund. Nuk është hasur më parë një kaos i tillë. Gazeta MAPO ka biseduar me specialistët e trafikut dhe ka hulumtuar për shkaqet e kësaj gjendjeje të padurueshme.

Blerina Gjoka

Reklamo bizensin tuaj ketu

Në filmin Jersey Girl, të vitit 2004, një prodhim i Hollywood, personazhi kryesor i luajtur nga Ben Afleck, me emrin Ollie Triek, një mjeshtër i PR, pas një fatkeqësie familjare që e la vetëm me vajzën e tij të sapolindur, braktisi New Yorkun, dhe punën e tij në një kompani të famshme, për t’u transferuar në New Jersey

Atje së bashku me të atin nisi punë si mirëmbajtës rrugësh në bashkinë e një qyteti. Doli një problem, ku për të sistemuar kanalizimet në një rrugë lagjeje, i duhej të bllokonin njërën nga rrugët. Nga rrugët alternative, çdo individi në këtë lagje i duhej të vonohej rreth 6-7 minuta për të dalë në autoband.

Pyetja 1 milion dollarëshe që shtrohej ishte: “Si do ua shpjegojmë taksapaguesve, vonesën që do u shkaktojmë”. Për rreth një javë, u ndërmorën takime në salla ku u shpjegohej njerëzve se në rast se nuk ndërhyhej në atë moment, rrezikohej që kanalizimet e ujërave të bardha të ngatërroheshin me ujërat e zeza, dhe mund të shkaktonin ndonjë epidemi. Vetëm kur u bind komuniteti, u lejuan të vazhdoheshin punimet.
**
Pavarësisht skenarit, mesazhi është i qartë. Në vendet ku sundon ligji, verdiktin e ka në dorë taksapaguesi. Atij duhet t’i jepet llogari për çdo gjë, se fundja është ai që paguan. Por kjo ndodh në vendet ku shteti është në shërbim të qytetarit. Prej disa kohësh, qytetarët e Tiranës po përjetojnë ferrin që shkakton trafiku i rënduar në çdo rrugë, në çdo aks, në çdo hyrje-dalje në qytet. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë, pa bërë asnjë paralajmërim vendosi bllokimin e nyjës kryesore, rrethrrotullimi te “Shqiponja”, pavarësisht se në atë vend në ditë normale lëvizin 50 mijë mjete vetëm në aksin Durrës-Tiranë, pa llogaritur ata që vijnë nga Shkodra dhe të gjitha qytetet e tjera nga Veriu. Qendra ekonomike dhe pse jo jetike e Shqipërisë është bllokuar pa asnjë paralajmërim. Pa asnjë alternativë tjetër. Njerëz që duhet të rrinë deri në 90 minuta në trafik, për të hyrë ose dalë nga Tirana. Dhe e gjitha kjo shkarkohet edhe brenda në qytet, ku një popullsi prej gati 1 milion banorë është çdo ditë nën një torturë stresuese për të shkuar në punë, për të dërguar fëmijët në shkollë apo për të kryer shërbimet bazike. Një çmenduri, e denjë për ato regjime ku pushteti konsiderohet si pronë, ku qyteti trajtohet si kopsht privat i kryetarit, dhe jo përgjegjësi apo shërbim ndaj qytetarëve.
***
Erion Veliaj, me ardhjen në krye të Bashkisë Tiranë riktheu metodat arrogante të shefit të tij, i cili drejtoi Bashkinë në vitet 2000-2011. Shumëkush e mban mend mirë bllokimin që Rama i bëri Tiranës për të paktën tre vjet me sheshin e Tiranës. Vetëm se Erion Veliaj e ka avancuar dhe më tej. Në pesë vite të qëndrimit në krye të bashkisë, ai vetëm ka ngritur taksat, pa i shndërruar ato në shërbime për qytetarët. Në një raportim të gazetës MAPO, para pak kohësh bëhej me dije se vetëm në 5 vjet Veliaj ka përfituar buxhetin që kanë pasur që nga viti 2000, ish-kryetarët Rama dhe Basha. Një shifër prej 700 milionë eurosh të përfunduara kryesisht për shpenzime operative, dhe pjesa tjetër në korsi biçikletash, dhe parkingje nga të cilat Erion Veliaj vjel jo pak të ardhura vjetore. Këtu nuk po përmendim dëmin kulturor dhe urbanistik me ndërtimet dhe shembjen e Teatrit, që shtetasi Erion Veliaj i ka shkaktuar Tiranës. Ndërkohë, Tirana është kthyer në një nga qytetet më pak mikpritëse dhe më armiqësore për banorët e saj, pasi xhelatët e bashkisë të përgjojnë ngado dhe mezi presin të të vënë një gjobë nëse në mënyrë të shkujdesur, ose nga halli ke lënë diku ku nuk duhet makinën.
***
Po pavarësisht kësaj, Erion Veliajn, duhet ta shohim të paktën tre apo katër herë, si një imponim që na e bën propaganda. Një dhuratë që Edi Rama u ka bërë qytetarëve të Tiranës për zgjedhjet e vitit 2021, duke i lënë në dorë fushatën zgjedhore, a thua nuk i mjaftoi braktisja dhe revolta e zgjedhësve kryeqytetas në 30 qershorin e vitit 2019. Zotin Veliaj, qytetarët duhet ta durojnë përmes radios ku kanë ngecur në trafik, duhet ta durojnë teksa ecin në rrugët e ndotura. Duhet ta durojnë kur faturat rraskapitëse të taksave dhe gjobave iu vijnë poshtë derës. Aq i padurueshëm është bërë ky refren sa është vështirë të gjesh në këtë qytet një njeri, i majtë apo i djathtë qoftë që me mërmërimë apo me zë të lartë të mos ketë bërë pjesë të fjalorit sharjet dhe mallkimet. Qyteti ofshan për trafikun, ndotjen, taksat, gjobat dhe mungesën e hapësirave të gjelbra. I vetmi që gëzon duket se është Kryetari i Bashkisë, që ka kohën të merret me zgjedhjet brenda kundërshtarit, ose të bëjë shaka që nuk bëjnë të qeshin as Elisën e Skënderbeut. Por ky është realiteti, dhe qytetarëve të këtij qyteti iu duhet të durojnë dhe disa muaj.
Vendimi, bllokim për 4 muaj

Një javë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia kërkuan nga qytetarët që të pranojnë një sakrificë 4-mujore duke prezantuar planin e menaxhimit të trafikut, për shkak të punimeve që po kryhen tek Unaza e Madhe në kryeqytet.

Sipas tyre, përmbyllja e kësaj faze do të zgjasë 4 muaj, dhe kërkon sakrificë e mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve për të arritur, që kjo nyje të përballojë mbi 45 mijë mjete në ditë dhe të mos ketë më bllokim. “Është faza 3, më e rëndësishme e këtij projekti që na duhen 4 muaj sfidë, sakrificë për të arritur që kjo nyje të përballojë mbi 45 mijë mjete në ditë, që të mos kemi më bllokim në këtë nyje. Drejtuesit e mjeteve të na mirëkuptojnë. Koha fizike e kontratës është 25%, dinamika e ecurisë së projektit do të na japë rezultate të mira që për 3-4 muaj ta përfundojmë këtë fazë”. Autoritetet pranuan se problematika më e madhe mbetet një zgjidhje për mjetet e emergjencës, e cila sipas tyre do të gjendet për 3 javë. Kreu i ARRSH Ergys Verdho sqaroi se, drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Veriu duhet të përdorin urën e Babrroit, ndërsa ata nga jugu do të kalojnë në rrugën Tiranë-Elbasan, dhe ata që vijnë nga Kavaja të përdorin rrugën e Ndroqit. Por për shumë ekspertë të rrugëve ky bllokim nuk kishte pse të ndodhte në këtë mënyrë pa asnjë plan paraprak që do të zgjidhte lëvizjen e makinave që hyjnë në kryeqytet. Gazeta MAPO bisedoi me dy ekspertë të rrugëve, Kujtim Hashorvën dhe Artur Sulçen.

Artur Sulçe: Bllokimi sulltanesk, pa gjetur zgjidhje alternative

Një vendim i paplanifikuar dhe që rëndon mbi qytetarët. Kështu e cilëson vendimin për bllokimin e sheshit “Shqiponja” të qeverisë në funksion të ndërtimit të një segmenti të Unazës së Madhe, eksperti për aksidentet Artur Sulçe. Ai sqaron për gazetën MAPO hapat që duhej të ndërmerreshin për të lehtësuar trafikun që u krijua pas këtij vendimi.

Z. Sulçe, ARRSH ka vendosur të bllokojë për disa muaj sheshin “Shqiponja” ose rrethrrotullimi i Doganës siç njihet, duke i zhvendosur mijëra automjete që hyjnë në Tiranë çdo ditë nga i gjithë vendi në akse dytësore ose rrugë të vjetra që krijojnë trafik të rënduar. Ju si ekspert si e shihni këtë vendim? A mund të gjendej një zgjidhje tjetër për të shmangur këtë trafik?

E para, gjatë ndërtimit të një infrastrukture të re apo dhe riparimit të saj duhet që nga firma e cila kryen punimet, të bëhen projektimet e devijimeve të trafikut në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor, Rregullores së Zbatimit të K. Rrugor si edhe manualit të sinjalistikës. Ky projekt i dërgohet dhe miratohet nga policia rrugore ku merr miratimin e organit për të vijuar me miratimin në entet e tjera. ARRSH duhet që në momentin e kryerjes së tenderit për këtë artificë rrugore të përgatiste projektplanin e devijimit të trafikut në funksion të matjeve të trafikut, dhe mund të bënte ndryshime të thjeshta në mënyrë që të kishim një trafik që të lëvizte dhe jo të bëhet si në kohën e verës një trafik i rënduar, ku duke i shtuar dhe kulturën e ulët të drejtuesve të mjeteve, do të kishim bllokime të trafikut, të cilat do të sillnin impenjime të shumta të policisë rrugore për të bërë trafikun të lëvizë. Pra çdo gjë e paplanifikuar më parë normalisht do të ketë një trafik të rënduar dhe agresivitet të përdoruesve të rrugës.

Në Tiranë është llogaritur që hyjnë rreth 50 mijë makina në ditë, çfarë do të thotë ky bllokim për një numër kaq të madh makinash?

Referuar matjeve të trafikut të mjeteve që hyjnë në Tiranë nga Durrësi si edhe zona verilindore numri i mjeteve është shumë i madh, për këtë arsye duhej të ishin përgatitur segmente të përkohshme dhe lagje me sinjalistikë të përkohshme të verdhë për devijimin e trafikut duke i informuar përdoruesit e rrugës në kohën dhe distancën e duhur, si edhe të ishin vendosur tabela elektronike në funksion të trafikut të bëhej devijimi i tij dhe të ishte fleksibël duke shmangur ngarkesën, agresivitetin e përdoruesve të rrugës, bllokimin e trafikut, ndotjen akustike dhe pluhurave të ndryshëm si nga gazet dhe papastërtitë e rrugës, të cilat me sa shikojmë deri tani nuk është bërë asgjë, por si gjithmonë entet pronare dhe sidomos qeveria e rrumpallës vazhdon drejtimin sulltanesk të vendit dhe jetës shoqërore në këtë vend.

Konkretisht, për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Jugu është rekomanduar aksi i rrugës Tiranë-Elbasan, ndërsa mjetet që vijnë nga veriu duhet të përdorin urën e Babrroit, që është kthyer në një bumerang që në ditët e para, po ashtu ata që vijnë nga Kavaja duhet të përdorin rrugën e Ndroqit, e cila nuk plotëson kushtet optimale. A janë këto zgjidhje që rëndojnë mbi qytetarët? A duhej të kishte shteti një plan rezervë për këtë rast?

Në lidhje me urën e Babrroit ajo në kushtet e trafikut real nuk është zgjidhje pasi është një urë me një kalim, kështu që bllokimi i saj do të jetë permanent dhe që të shërbejë dhe të jetë funksionale duhet me shërbim të policisë rrugore. Në këtë zonë mund të përdoreshin dhe rrugët e lagjes të cilat duhet të ishin hapur përkohësisht për të zbutur trafikun, por që nuk është menduar fare dhe zgjidhjet janë sot për nesër për çdo vendim e vepër që kanë ndërtuar këto ente të pushtetit qendror dhe lokal, ente të cilat janë kthyer në streha varfënore për militantë dhe paaftësi totale profesionale.

A jeni njohur me projektin e unazës së re? Çfarë pritet të sjellë në përfundim ky projekt. A do të ndryshojë situata me trafikun e hyrjes në kryeqytet me përfundimin e saj?

Në lidhje me zgjidhjen teknike që i kanë dhënë entet përkatëse kryqëzimit te Dogana mendoj dhe jam shprehur dhe më parë që ka pasur zgjidhje më të mira teknike dhe me kosto më të ulët dhe që i shërbejnë një popullsie më të madhe se vendi ynë dhe një numri mjetesh shumë më të madh se Shqipëria dhe që janë zgjidhjet inteligjente për kohën e sotme.

Kujtim Hashorva: Investimet që do të zgjidhnin trafikun nuk janë bërë qëllimisht

Ish-Drejtor i Politikave në Ministrinë e Transporteve, Kujtim Hashorva, i tha gazetës MAPO se bllokimi i hyrjes në Tiranë për ndërtimin e segmentit të unazës së madhe tek Astiri, është një vendim paradoksal. Sipas tij para se të nisnin punimet aty duheshin bërë investimet e planifikuara më parë, të rrugëve të tjera, por dhe të hekurudhës Tiranë-Durrës. Sipas tij, duket sikur janë lënë qëllimisht këto investime të rëndësishme të cilat do të zgjidhnin trafikun e hyrjen në Tiranë dhe do ta bënin të panevojshëm këtë investim të madh që po bëhet në një segment. Hashorva rendit dhe probleme të tjera me ndërtimet e mëdha apo ofrimin e shërbimeve brenda unazës së vogël që kanë sjellë rëndimin e trafikut.

Z. Hashorva, ARRSH ka vendosur të bllokojë për disa muaj sheshin “Shqiponja” ose rrethrrotullimi i Doganës siç njihet, duke i zhvendosur mijëra automjete që hyjnë në Tiranë çdo ditë nga i gjithë vendi në akse dytësore ose rrugë të vjetra që krijojnë trafik të rënduar. Ju si ekspert si e shihni këtë vendim? A mund të gjendej një zgjidhje tjetër për të shmangur këtë trafik?

Për mendimin tim nuk duhej bërë kështu siç u bë. Duhej planifikuar dhe duheshin marrë masa të tjera për të parandaluar trafikun që rëndon mbi qytetarët. Duhej përfunduar unaza e madhe e Tiranës, duhej rehabilituar rruga që lidh Vaqarrin me Plepat me 4 korsi, e cila do të përballonte të gjithë trafikun e Jugut.

Plus pastaj fakti që gjithë ndërtimet janë grumbulluar brenda Unazës së Vogël ka bërë që rritet dendësia dhe trafiku është bërë 10 km në orë. Problemi tjetër është zgjidhja e urgjencave, që është komplikuar shumë. Të gjitha këto sjellin dhe problemin e ndotjes që është shumë e rëndësishme, pasi siç ka konstatuar Eurostat një numër i madh vdekjesh lidhet me ndotjen. Një tjetër gjë e pamenduar mirë janë korsitë e biçikletave, që kanë komplikuar transportin urban në qytet.

Por ka dhe një zgjidhje tjetër që duhej të ishte dhënë para se të shkonim në këtë bllokim, bëhet fjalë për investimin në hekurudhën Tiranë-Durrës. Nëse do ishte ndërtuar hekurudha dhe nëse do bëhej degëzimi i Vaqarrit sipas planeve që kanë qenë për t’u bërë shumica e trafikut do të kalonte nga rruga e Vaqarrit dhe për mendimin tim ky investim që po bëhet nga qeveria do të dilte i panevojshëm. Një tjetër investim që ka qenë planifikuar po është lënë pas dore është për rrugën Rrogozhinë-Thumanë, për të cilën u tha se do të bëhej dhe nuk u bë.

Duket sikur të gjitha këto investime që do të zgjidhnin trafikun janë lënë në mënyrë të qëllimshme. Fakti që kemi vetëm një lloj transporti, pra vetëm me goma, jemi i vetmi vend pa transport hekurudhor, e bën më të vështirë menaxhimin e trafikut. Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës do të sillte një rënie në mënyrë të ndjeshme të trafikut.

Nuk mund të gjykoj se pse u bë ky bllokim tani, por qëllimi dihet, sepse është paradoks i madh që të bllokohet në mënyrë të tillë hyrja e mijëra automjeteve në Tiranë. Ky bllokim ka të gjitha aspektet negative. Nuk mund të bëhej bllokimi kështu pa pasur alternativë, duhej të bëheshin investimet që thashë më lart fillimisht dhe kjo që po bëhet tani mund të shtyhej.

Pastaj problemi i trafikut që krijohet në hyrje të Tiranës ka dhe shkaqe të tjera, siç janë ndërtimet e tmerrshme që janë bërë brenda unazës së vogël. Stadiumi kombëtar dhe investime të tjera duhej të bëheshin jashtë zonës së trafikut. Po ashtu, drejtoritë më të rëndësishme të shtetit që ofrojnë shërbime dhe për qytetarë që vijnë nga rrethet duhet të spostohen në periferi të qytetit që të shmanget fluksi i mjeteve që hyjnë në Tiranë.


Etiketa: , , , ,