Lajme

Qeveria sqaron takimin me Veton Surroin e Blerim Shalën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar në cilësinë e ekspertëve gjatë ditëve të fundit publicistin Veton Surroi, dhe këshilltarin e  ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Telegrafin ka thënë se fjala është për një takim në cilësinë e ekspertëve, në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar me Ambasadën e Norvegjisë.

Pas raportimeve të medieve se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar Surroin e Shalën për tu bërë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, Kryeziu sqaroi se nuk bëhet fjalë për një ekip negociator

“Nuk bëhet fjalë për ekip negociator. Bëhet fjalë për një ekip ekspertësh të financuar nga Ambasada norvegjeze në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit që e kemi nënshkruar këtë javë, e në të cilin ekip mes tjerëve do angazhohen edhe z. Surroi dhe Shala. Zëvendëskryeministri Bislimi është takuar me ekipin ditëve të fundit”, sqaroi Kryeziu.

Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar edhe Haki Abazi.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka kundërshtuar Kurtin.

Sipas tij, Blerim Shala ka qenë joproduktiv dhe degradues për Kosovën gjatë kohës sa dialogut i printe ish-presidenti Hashim Thaçi.

“Roli i Blerim Shales në dialogun e udhëhequr nga Hashim Thaçi, ka qenë joproduktiv dhe në përkrahje të degradimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Procesi i deritanishëm i dialogut ka prodhuar dëme vështirë të riparueshme, e ka dobësuar pozitën negociuese të Kosovës, dhe ka krijuar rrethana të favorshme për Serbinë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të aplikohet mendësia e vjetër e aq me pak të sigurohet pjesemarrje pa legjitimitet qytetarë në nje proces kaq jetik të individëve që kanë kontribuar në rezultatet negative të shtetndërtimit në dekadën e kaluar”, ka shkruar Abazi./Insajderi.com