Lajme

Qeveria pa votën e 61-të, deputeti i arratisur përfundoi në pranga

Deputeti Etem Arifi, ose i njohur ndryshe edhe si vota e 61-të e Qeverisë Hoti, sot ka përfunduar në pranga, pas disa muajsh që kishte qenë në arrati. Si rezultat i mosprezencës së tij në Kuvend, për pesë herë me radhë ka dështuar të votohet edhe Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili mes tjerash u mundëson qytetarëve edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti. Pa deputetin Arifi, ekzekutivi ka mbetur pa votën që i duhet për të kaluar ligje.

Shpresa e fundit e deputetit Etem Arifi, Gjykata Kushtetuese, i ka kthyer përgjigje negative lidhur me ankesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme, që kishte marrë vendim për ta dënuar për mashtrim me subvencione.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Pesë ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputeti Etem Arifi pas disa muajve që po qëndronte në arrati është dorëzuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, sot rreth orës 10:00.

Më katër korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhërarrestim për deputetin Etem Arifi, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrimin me subvencione që kapin shumën mbi 25 mijë euro.

Arifi ishte dashur që pas pranimit të vendimit të paraqitet në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg, por pasi që nuk është paraqitur, Gjykata kishte lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e tij në vuajtje të dënimit me burg.

Deputeti Etem Arifi është dashur që më 9 mars të paraqitej ne qendrën për vuajtje të dënimit, mirëpo gjendja shëndetësore e tij kishte bërë që Gjykata e Prishtinës të shtyjë 2 herë me nga 2 muaj ekzekutimin e dënimit.

Vota e Etem Arifit për Qeverinë Hoti ishte kontestuar pasi që ai ishte bërë e ditur se kishte qenë i dënuar me burg në kohën kur kishte vazhduar të ushtrojë mandatin e deputetit.

Që nga koha sa ai po qëndronte në arrati, ekzekutivi ka dështuar të kalojë në Kuvend projektligje. Një nga ligjet më të rëndësishme është edhe ai për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Në seancën e djeshme, ky Projektligj ka dështuar të votohet për herë të pestë.

Lëvizja Vetëvendosje për votën e Etem Arifit ishte ankuar në Gjykatë Kushtetuese, megjithatë, ky institucion ende nuk ka dalë me aktgjykim për këtë çështje.