Lajme

Qeveria njëjtë si Gjermania e Franca: Non paper për marrëveshjen Kosovë-Serbi është i rremë

Qeveria e Kosovës ka mohuar vërtetësinë e një “

Qeveria e Kosovës ka mohuar vërtetësinë e një “non paper gjermano-francez”, i cili u publikua të hënën e në të cilën si projekt synohej “një zonë autonomie në Kosovë për serbët si dhe asociacion të komunave serbe”.

“Edhe ambasada gjermane dhe ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument, duke e demantuar dhe duke u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu për Insajderi-n.

Pikërisht, Gjermania dhe Franca, të martën demantuan kategorikisht një “non paper” të tillë.

“Mund të ketë një dokument të tillë, por sigurt nuk është gjermano-francez. Përkrahja jonë e plotë është për dialogun e udhëhequr nga BE-ja të udhëhequr nga Miroslav Lajcak ashtu siç e theksoi sërish ministri i Jashtëm gjerman Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar ambasadori gjerman Rohde në Twitter.

Për të njëjtin dokument reagoi edhe Ambasada e Francës në Kosovë, për të mohuar në mënyrë të prerë.

“Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e BE-së dhe mirëpresim përpjekjet e ndërmarra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak”.

Lajçak, do ta presë në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka arritur në qendrën e Bashkimit Evropian, gjatë një kohe kur po qarkullojnë dokumente me opsione “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Një i tillë ishte publikuar javë më parë, duke iu atribuuar një shteti tjetër të BE-së, Sllovenisë.

Si Sllovenia ashtu edhe çdo shtet tjetër i Unionit Evropian kërkon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, madje për këtë Lajçak veç ka filluar kontaktet në Prishtinë e Beograd për nisjen e bisedimeve.

Por, Lajçak në vendin tonë po kritikohet nga funksionarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për “njëanshmëri” në raport me dialogun.

Një hartë mbrapa Lajçakut që kontestonte vijën ndarëse gjeografike mes Kosovës e Serbisë si dhe mos-përmendja e emrit ‘Kosovë’ pas njoftimit që sllovaku kishte me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi – ishin zëra të ngritur brenda opozitës që diplomati evropian “po injoron Kosovën”.

Kosova dhe Serbia kishin filluar dialogun në vitin 2010, për të zgjidhur disa çështje teknike e më pas kaluan në ‘diskutime politike’.

Gjatë këtyre viteve ishin arritur marrëveshje që në Beograd e Prishtinë ngjallnin kundërshtime.

Një pajtim, por në fushë ekonomike ishte arritur mes Kosovës e Serbisë – më 4 shtator 2020 në Uashington.

Pastaj vazhduan edhe disa takime të nivelit më të ulët të ndërmjetësuese nga Bashkimi Evropian. Asgjë konkrete.

Tash Kosova dhe Serbia, kanë dy qeveri që pushtetin e kanë siguruar duke fituar më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhje /Insajderi.com