Bota

Putin: Perëndimi e njeh Kosovën, kurse Rusisë i vë sanksione për Krimenë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka rihapur çështjen e Kosovës në konferencën e tij të fundvitit në Kremlin, ku ka sulmuar Perëndimin se ndërsa ka njohur Kosovën, ka vendosur sanksione ndaj Moskës për aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

Edhe pse temat kryesore të konferencës ku marrin pjesë mbi 1 mijë gazetarë janë pandemia, vaksinat, zgjedhjet amerikane, situata në ushtri, tubacioni i gazit “Rrjedha e Veriut 2”, ai u pyet edhe për Kosovën.

“Ne jemi të pafajshëm në krahasim me ju (Perëndimin)”, tha Putini kur u pyet nga një gazetar britanik nëse Rusia është gjithmonë e pafajshme, apo ka pak për të fajësuar për marrëdhëniet e saj të këqija me Perëndimin.

Ai tha se Krimeja iu bashkua Rusisë pas një referendumi, gjë që e njëjta s’ka ndodhur me rastin e “shkëputjes së Kosovës nga Serbia”.

Udhëheqësi rus kujtoi se Rusia ka baza ushtarake vetëm “në zona të rrezikshme terroriste” dhe Shtetet e Bashkuara kishin një rrjet të madh të bazave ushtarake në të gjithë botën.

Ai shtoi se NATO-ja po zgjerohet drejt kufijve të Rusisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po dalin nga marrëveshjet kryesore ushtarake: në raketa me rreze të mesme dhe me rreze të shkurtër, në qiell të hapur, etj.

“Tani vendet e NATO-s do të fluturojnë mbi Rusinë dhe do t’i dorëzojnë informacionin Shteteve të Bashkuara, ndërsa Moska është privuar nga kjo”, tha ai.

Për më tepër, pa marrëveshjen START-3, siguria botërore do të vihet në pikëpyetje. Putin deklaroi se Rusia duhet t’i përgjigjet kësaj me lloje të reja armësh.

“Kujtoni se ju jeni të zgjuar e ne jemi budallenj?”, tha Putini, duke folur për pretendimet e vendeve perëndimore ndaj Rusisë në sferën ushtarako-strategjike.

Në lidhje me Nagorni Karabakun, Putin është treguar i matur duke thënë se ai është i lumtur që sot nuk ka luftime e për këtë ka kontribuar personalisht.

Ai kujtoi se Armenia nuk e ka njohur kurrë Karabakun dhe nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, ai është territor i Azerbajxhanit. /GazetaShqip