Lajme

Punëtorët teknikë paralajmërojnë masa radikale pasi Qeveria s’ua jep pagat shtesë

Rreth 2 mijë punëtorë teknikë nga dita e hënë kanë hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre. Derisa këto kërkesa nuk u janë marrë parasysh nga Qeveria Hoti, ata paralajmërojnë masa edhe më radikale.

Nga e hëna punëtorët teknikë në Kosovë kanë hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre për pagesa shtesë.

Derisa këta të fundit i kanë dhënë ultimatum Qeverisë Hoti e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të marrin një vendim në lidhje me kërkesën e tyre, këta të fundit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të tyre.

Kryetari i Sindikatës se Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se as Qeveria e Kosovës e as ministri Zemaj nuk i është përgjigjur thirrjeve të tyre përkundër që janë munduar që të kontaktojnë me ta.

Kësisoj, ai ka thënë se ditën e nesërme do të mblidhen e do të vendosin për masa më radikale.

“Ne nuk kemi marrë asnjë njoftim nga Qeveria e Kosovës. Nesër do të mbahet një takim i gjithë kryetarëve të shoqatave që janë në grevë. Pasi gjatë ditës kemi munduar të kontaktojmë me ta e nuk na janë përgjigjur, tani sipas gjitha informacioneve nga nesër greva do të radikalizohet”, ka thënë ai.

Azemi ka deklaruar se gjatë ditës së sotme u kanë dërguar një letër të gjitha partive politike në vend, të cilave ua ka bashkangjitur edhe një vendim të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi i cili kishte mbështetur kërkesat e tyre.

“Ne sot kemi njoftuar të gjitha partitë politike për mbështetje. Ja kemi bashkangjitur një vendim të komisionit parlamentar për shëndetësi ku i rekomandon ministrisë që ta bëjë pagesën edhe për këta punëtorë. Nesër do të  bisedojmë me kryetarët e shoqatave që të marrim mendimin e tyre për grevën”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë tutje se gjendja sa i përket pastërtisë në spitalet rajonale është shumë e keqe, andaj edhe shprehet i çuditur se si Qeverisë nuk po i intereson kjo gjë.

Azemi ka thënë se grevistët janë edhe më shumë të vendosur që ta vazhdojnë grevën.

“Gjendja në spitale sa i përket pastërtisë është e keqe por kjo duket se nuk po i pengon ata. Grevistët janë të organizuar mirë dhe janë edhe më të qëndrueshëm për grevë”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se përveç grevës kanë edhe opsione tjera të cilat do t’i diskutojnë pas mosrealizimit të kërkesave të tyre.

Kujtojmë se me të hyrë në grevë, punëtorët teknikë kanë qenë edhe të kërcënuar nga kompanitë e pastrimit, të cilat u kanë thënë se do ja ndalin nga 20 euro për çdo ditë që nuk punojnë, dhe se do t’i përjashtojnë edhe nga puna.