Opinione

Pse heshtin të gjithë për atentatin?/ Paralajmërimi i Edi Ramës dhe rasti kur “gjuha kocka s’ka, por kocka thyen” (ANALIZA)

As presidenti, as qeveria, as shoqata e prokurorëve, as KLP/ Asnjë reagim për atentatin ndaj një prokurori të shtetit.

“Shqiptarët nuk kanë frikë nga plumbi, por dridhen nga valiu”. Kjo thënie e Konicës nuk mund të mos vijë ndërmend, kur sheh mpirjen e të gjithëve përballë një atentati kriminal që plagosi një prokuror të Republikës. Një heshtje vertikale, duke nisur nga presidenti i vendit, krerët e partive politike, shoqata e prokurorëve, krerët e KLP-së e kështu me rradhë. Të gjithë gojëkyçur sepse se ky njeri, Arjan Ndoja u sulmua egërsisht nga valiu, për pothuajse një javë rresht.

Kjo mungesë solidariteti dhe reagimi ndaj atentatit kriminal, sikur do të thotë: e kërkoi, e gjeti. Por, ja të paktën 6 arsye pse nuk duhet heshtur.

E para, Arjan Ndoja kërkoi burg për ish-drejtorin e Kadastrës së Durrësit (ndoshta se do të mbronte interesat e një grupi kriminal, siç thotë kryeministri) ama s’duhet harruar se gjykata i dha të drejtë, duke e lënë në burg ish-zyrtarin e Kadastrës.

E dyta, një javë më parë, prokuroria dhe policia arrestuan 3 ish-drejtues të Hipotekës së Durrësit mes 18 të arrestuarve për përvetësimin e 68 mijë metra katrorë tokë në operacionin “Rodoni”. Pra, Hipoteka (sot Kadastra) e Durrësit nuk është pa mëkate kur vjen puna tek çështjet e pronësisë së zonës së Lalëzit. Pra, para se të etiketohet prokurori si “kriminel”, ndoshta duhet parë: po sikur të ketë të drejtë? Fundja, kush e jep këtë të drejtë përveç gjykatës?

E treta, nëse prokurori Arjan Ndoja është i lidhur me grupet kriminale, a duhen goditur e arrestuar këto grupe kriminale? Ose të paktën, a duhet marrë guximi nga qeveria që, të paktën të paktën, t’u përmendë emrin këtyre kriminelëve?

E katërta, nëse Arjan Ndoja në atentat shoqërohej me një njeri të arrestuar për rrahjen e biznesmenit libanez, a është ky shkak që prokurori të mos mbrohet, por t’i serviret krimit në pjatë argjendi?

Dhe e fundit, Arjan Ndoja mund të jetë mëkatar se shoqërohet me një individ me precedentë (si ky që akuzohet për rrahjen e biznesmenit), por vallë, cili është ai zyrtar që “akuzohet” sot se kandidoi për kryebashkiak të Vorës një njeri me precedentë, i arrestuar për falsifikim parash.

Cili është ai funksionar që akuzohet se ka shoqëri dhe ka kandiduar kryebashkiakë me precedentë të akuzuar për përdhunim në grup apo deputetë për vjedhje e trafik droge?

Arjan Ndoja mund të jetë “krimineli” më i madh, por fakti që në 20 vite karrierë profesionale, ai u qëllua me armë pikërisht disa ditë pasi u linçua publikisht nga qeveria, të sjell ndërmend shprehjen se gjuha kocka s’ka, por kocka thyen.

Burimi: http://www.gsh.al