Lajme

Procesi gjyqësor ndaj Mustafës nis më 15 shtator

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kos

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur që procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, të fillojë më 15 shtator 2021.

Siç bëhet e ditur në njoftim, prokurori i Specializuar do të ketë në dispozicion tre orë për deklaratën e tij hyrëse kurse përfaqësuesja e viktimave një orë e gjysmë, njofton Insajderi.

Trupi gjykues vendosi që dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokurori i Specializuar të dëgjohen midis të hënës, 20 shtator 2021 dhe të martës, 28 shtator 2021.

Kjo është çështja e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës për të cilën do të fillojë procesi gjyqësor.

Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”, është arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.

Ai akuzohet për krime lufte të kryera në prillin e vitit 1999, në një qendër ndalimi të UÇK-së në Zllash, afër Prishtinës./Insajderi.com