Lajme

Prizrenasja shtatzënë thotë se po pushonte në motel, pas 2 muajsh i tregoi burrit se dikush e dhunoi aty

Një grua nga Prizreni ka raportuar në polici se gjatë muajit mars të këtij viti, është dhunuar seksualisht nga një burrë. Në kohën kur i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj, ajo ka qenë në muajin e katërt të shtatzënisë.

35-vjeçarja nga Prizreni, më 3 maj ka shkuar në polici bashkë me burrin e saj, për të raportuar rastin që i ka ndodhur në muajin mars të këtij viti.

Gazeta mëson se ajo ka deklaruar se derisa ishte duke pushuar në një motel, në dhomën e saj ka hyrë një person i moshës 44-vjeçare, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.

Burime të gazetës brenda policisë bëjnë të ditur se në kohën kur ka ndodhur ky rast, 35-vjeçarja ka qenë në muajin e katërt të shtatzënisë, ndërkaq bashkëshortit nuk i ka treguar deri më 2 maj.

“Lidhur me rastin është konsultuar me prokurorin kujdestar i krimeve të rënda dhe me urdhër të tij hapet procedurë hetimore për veprën penale Dhunim, ndërsa i dyshuari të intervistohet në lidhje me këtë rast. Rasti është nën hetime”, ka bërë të ditur ky burim.

Ndryshe, për këtë rast ka njoftuar edhe policia përmes raportit 24 orësh.

“Prizren Mars-2021.  Viktima femër kosovare me 03.05.2021 ka raportuar se në kohën e cekur (nuk dihet data e saktë) i dyshuari mashkull kosovar, ka kryer marrëdhënie seksuale me të kundër dëshirës së saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, ka bërë të ditur policia.