Lajme

Prindi tha se dy persona tentuan të ja rrëmbëjnë djalin 11 vjeç në Vushtrri, autorizohet policia të ndërmarrë veprimet

Policia ka njoftuar dje për një tentim rrëmbin në Vushtrri. Sipas një prindi dy persona të maskuar kanë tentuar të ja rrëmbëjnë djalin 11 vjeç para hyrjes së banesës ku jetojnë.

E për këtë rast Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka nisur hetimet, konfirmoi për zëdhënësi i kësaj prokurorie Valon Preteni.

“Prokurorja kujdestare e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka autorizuar policinë që të ndërmarrë veprimet hetimore lidhur me zbulimin e identitetit te personave te dyshuar, dhe sigurimin e provave tjera për zbulimin e këtij rasti, rasti është iniciuar si “Tentim rrëmbimi””, tha Preteni.

Ndërsa, policia ka njoftuar se prindi ka deklaruar se djali nuk ka nevojë për trajtim mjekësor pas rastit që pretendon të ketë ndodhur.

Njoftimi i plotë i policisë:

RRËMBIM NË TENTATIVË/ Rr. Blerim Zuqaku, Vushtrri 02.05.2021-23:07. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se në lagjen ku banon para hyrjes së objektit dy persona të maskuar kanë tentuar që t’ia rrëmbejnë djalin e tij (moshë-11 vjeç), por nuk ia kanë arritur, dhe të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Sipas ankuesit, djali nuk ka nevojë për tretman mjekësor pasi gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Nuk dihet motivi i rastit. Lidhur me rasti është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.