Maqedoni

Prezantohet projekti për kompleksin “Planet” në Saraj të Shkupit

Mesdita e së enjtes mblodhi personalitete të sh

Mesdita e së enjtes mblodhi personalitete të shumta në një kodër piktoreske të Komunës së Sarajit, e cila që tani ka një emër. Kompleksi “Planet” do të jetë lagja e re e Shkupit më luksozja me të gjitha komoditetet për banim dhe biznes. Në inaugurimin e këtij investimi, u paraqit projekti që përveç shtëpive të banimit individual, do të ketë markete, restorante, terrene sportive, fitnes qendra, kënd të lojërave për fëmijë, mbikëqyrje 24/7 nga sigurimet dhe poliklinikë për shërbime shëndetësore. Ideatorja e projektit Valdete Kasapi tha se një ëndërr u bë realitet për të gjithë banorët e zonës dhe më gjerë.

– Advertisements –


  “Unë kam besuar dhe insistuar në investitorët vendor fillimisht se Blero Fix dhe Valmir Kompani janë të dëshmuar brenda dhe jashtë vendit. Ju faleminderit që të dyve për guximin që së bashku këtë lagje ta bëjmë realitet. Gjithashtu, ia kam menduar edhe aspektin ekonomik të vendit duke insistuar që të ardhurat të qarkullojnë në vend në këtë kompleks, pos pronarëve të rinj të këtyre shtëpive të bukura sigurisht do të punësojmë shumë të rinj dhe të reja me çka do të zbusim edhe papunësinë në Komunën Saraj, në Qytetin e Shkupit dhe pse jo më gjerë.”- deklaroi Valdete Kasapi, Ideatore e projektit.

Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitete politike dhe të fushës së biznesit. Investitorët janë dy kompani vendore, pronarët e të cilëve kanë bashkuar kapitalin dhe idetë për të jetësuar këtë projekt, i cili është i pari në vend i kësaj natyre.

  “Të gjithë e dimë se në jetë gjërat nuk bëhen lehtë, mund të kesh fat të kesh para dhe ide, por pa miq të mirë dhe pa durim të mjaftueshëm as nuk duhet të niset kjo punë.”- pohoi Samet Nesimi – Investitor.

  “Nëse veset e shoqërisë nuk dimë ti shndërrojmë në vlera atëherë kot e kemi pasur edhe mërgimin dhe pasurinë që kemi fituar atje. Nuk ishte punë e lehtë kjo arritje por tani më kemi krijuar besim dhe e dimë nga është rruga jonë.”- tha Xhemil Shabani – Investitor.

 Në këtë kompleks banimi janë paraparë të ndërtohen 142 villa, apo 20% e territorit do të ketë ndërtime, ndërkaq 80% e sipërfaqes së kompleksit sa është 15 hektarë do të ketë hapësirë për gjelbërim. Në këtë projekt investimi kapital arrin vlerën e 28 milion eurove. Nga Komuna e Sarajit, ku është vendosur ky kompleks thonë se të gjitha objektet do të pajisen me leje përkatëse ndërtimi dhe se komuna do të ndihmoj në ofrimin e kushteve infrastrukturore. Ndonëse ndërtimi nuk dihet kur do të përfundoj, vilat janë në shitje që tani.

 Përgatiti: Adnan Qaili