Lajme

Presidentja Osmani feston ditën e veshjeve popullore të Ukrainës, këmisha iu dhurua në Lituani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka veshur bluzën tradicionale ukrainase në ditën e ‘Vyshyvanka’, si shenjë solidarizimi në fushatën botërore në përkrahje të Ukrainës.

Dita e Vyshyvanka është një festë që synon ruajtjen e traditës popullore ukrainase të krijimit dhe veshjes së rrobave etnike të qëndisura të njohura si ‘vyshyvankas’.

Presidentja u bë pjesë e këtij festimi me ftesë të kryeministres së Lituanisë Ingrida Šimonytė, e cila i kishte dhuruar veshjen Osmanit gjatë vizitës që presidentja realizoi javën e kaluar në Vilnus.

“Qëndrojmë me miqtë tanë ukrainas derisa shënojmë këtë traditë të bukur që na kujton guximin, lirinë, besimin dhe forcën e Ukrainës”, shkroi Osmani në Twitter.

Kjo ditë është shënuar edhe nga liderë të tjerë në mbarë botën. Ajo festohet të enjten e tretë të muajit maj dhe është një nga simbolet më të njohura të kulturës ukrainase.