Kosovë

Presidentja Osmani arrin në Japoni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Japoni për t’i përcjellë nga afër Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Këtë e bëri të ditur vetë Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Instagram.

“Arritja në Tokyo, gati për Lojërat Olimpike”, ka shkruar Osmani në fotografinë e saj të publikuar.

Kosova në Japoni ka shkuar me 11 sportistë që janë duke e përfaqësuar vendin në xhudo, boks dhe mundje.

Ndryshe, në njoftimin e dërguar nga Zyra e Presidencës, ku është bërë se Osmani ka udhëtuar drejt Tokios, është bërë e ditur se ajo do të ketë edhe takime me përfaqësues të Japonisë.

“Ajo po ashtu, gjatë ditëve në vijim, do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shtetit japonez. Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Olimpike Tokio, ndërkaq Presidentja Osmani do t`i mbështesë ata nga afër.  Ajo ka përgëzuar sportistët kosovarë, duke uruar që secili nga ta të triumfojë në disiplinat përkatëse sportive. Gjatë qëndrimit në Tokio, Presidentja Osmani së bashku me liderë të tjerë botërorë do të pritet nga Perandori Naruhito. Teksa në kuadër të takimeve bilaterale, zonja Osmani do të realizojë takime me kryeministrin e Japonisë, Yoshihide Suga, ministrin e jashtëm Toshimitsu Motegi, me përfaqësues të organizatave ekonomike e tregtare si dhe me përfaqësues të tjerë shtetëror”, thuhet në komunikatë.