Lajme

Policia e Kosovës jep detaje lidhur me aksidentin që ndodhi në Rrugën e Kombit ku vdiqën 4 kosovarë

Policia e Kosovës ka lëshuar detaje lidhur me aksidentin që ndodhi në Rrugën e Kombit. Si pasojë e aksidentit dyshohet se kanë vdekur katër persona, shtetas të Kosovës.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Sot, më 14.01.2021 rreth orës 19:00 është pranuar një informatë nga Qendra e Përbashkët e Bashkëpunimit KS-AL në PKK Vermicë, se në ‘Rrugën e Kombit’ në pjesën e Republikës së Shqipërisë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, dyshohet se si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën katër persona shtetas të Republikës së Kosovës. Ne jemi në kontakt me autoritet policore të Republikës së Shqipërisë dhe për detaje tjera u njoftojmë më kohë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Express ka mësuar se kryefamiljari B.A ishte kosovar ndërsa gruaja e tij A.A, shtetase e Shqipërisë.

Viktima kanë mbetur edhe dy fëmijët e mitur K. K, 11 vjeç, dhe M. A, 6 vjeçe.

E mbijetuara e vetme e familjes nga aksidenti tragjik është 3-vjeçarja V. A, e cila është transportuar te Spitali i Traumës.

Mësohet se dy automjete, një Citroen dhe një kamion, janë përplasur me njëri-tjetrin.

“Në Aksin Rrugor Rrëshen Rubik, Rruga e Kombit, te karburant “Toma”, ka ndodhur një aksident rrugor midis mjeteve Citroen dhe mjeti kamjon ku si pasojë e aksidentit dyshohet per 4 viktima. Grupi hetimor dhe Shërbimi Zjarrfikës ndodhen në vendngjarje“, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.