Lajme

Policia e fton për intervistim nënkryetarin e PSD-së

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, ka njoftuar se është ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës.

Hyseni thotë se arsyeja e kësaj thirrje nga ana e policisë është për shkak të një aktiviteti të kësaj partie që ishte bërë para zyrave të Gjykatës Speciale në Prishtinë.

“Sot jam thirrur për një intervistë nga Policia e Kosovës. Prita që do të jetë ndonjë nga rastet e mëhershme të aktivitetit. Por, mbeta i habitur kur polici më tha se arsyeja e thirrjes lidhet me aksionin që kemi zhvilluar para zyrave të Gjykatës Speciale në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Por, ai thotë se nuk do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje, për shkak se thotë se prononcimi i tij rreth skadimit të mandatit të Speciales është bërë publikisht.

“Ashtu siç aksionin e kemi bërë haptas dhe në praninë e mediave, unë nuk shmangem as nuk fshehem. Por, nuk do të shkoj ne polici thjesht sepse jam prononcuar publikisht. Kjo qasje është e parregullt, jodemokratike dhe ka për qëllim frikësimin e atyre që duan të bëjnë aktiviteteve kundër kësaj gjykate”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.