Bota Lajme

Policia amerikane vret të dyshuarin gjatë ndjekjes, i vdes edhe i biri tremuajsh

Një foshnjë tremuajshe e gjinisë mashkullore vdiq të martën në Alabama të Shteteve të Bashkuara, pasi policia gjatë ndjekjes me vetura ia vrau babanë e dyshuar për vrasje.

Foshnja e lindur në janar të këtij viti vdiq të martën në një spital për fëmijë në Alabama, pasi pësoi lëndime gjatë ndjekjes me vetura të hënën, thanë autoritetet.

Babai i tij, Eric Derell Smith, 30 vjeç, ishte person i kërkuar nga policia nën dyshimin për vrasje të dyfishtë në Louisiana. Ai u përpoq t’i ikte policisë përderisa në veturë e kishte edhe të birin e vogël, kur u qëllua në mënyrë fatale nga policia.

Zyrtari policor, Christopher De Back, tha se pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fëmija vdiq si rezultat i lëndimeve.

Një zyrtar i hetimeve, i quajtur Brian Switzer, i tha agjencisë Associated Press se foshnjës do t’i kryhet autopsia për ta përcaktuar shkakun e vdekjes. Ai tha se nuk mund të konfirmojë nëse foshnja është qëlluar me armë, sepse nuk e ka parë trupin.

Smith ishte duke ikur me foshnjën, pasi dyshohet se e qëlloi të dashurën, Christin Parker, 32 vjeçe, dhe nipin e saj, Brandon Parker, 26 vjeç. I dyshuari u largua me një veturë të tipit Nissan bashkë me të birin që jetonte me nënën.