Lajme

“Plumbat s’ishin për mua”, zbardhet dëshmia e prokurorit Arjan Ndoj

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj është marrë në pyetje në spital, ku po merr trajtim pasi u plagos në atentatin e djeshëm. Ndoja, mësohet se është shprehur se nuk dyshon se atentati ka qenë ndaj tij.

Gazetarja Klodiana Lala, duke cituar burime nga grupi hetimor raporon se prokurori është shprehur se “plumbat nuk kanë qenë për mua”.

Më tej ai ka thënë se ka qenë duke drekuar në një restorant në Durrës e më pas është nisur drejt Tiranës. Në makinë me prokurorin ka qenë shoferi i tij Andi Maloku dhe një person me precedentë kriminale Landi Muharremi, të cilët mbeten gjithashtu të plagosur.

Sakaq, janë marrë një pyetje një numër i lartë personash të cilët më pas janë lë të lirë, ndërkohë që ekspertë të laboratorit shkencor janë duke analizuar provat e gjetur në mjetin e braktisur, që konsiderohet si prova kryesore nga hetuesit.

Dyshimet paraprake janë se autorët kanë qenë me dy automjete, një prej të cilëve i ka prerë rrugën fuoristradës së prokurorit, tek mbikalimi i Shkozetit. Sipas burimeve kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga veprimet e kryera deri më tani është arritur në përfundimit se atentati mund të jetë porositur nga persona të tretë. Nisur nga trajektorja që ka përshkuar makina e autorëve që u gjet e braktisur në Shkafane të Ishmit është arritur në përfundimin se ata janë larguar përmes kësaj zone duke shmangur rrugën nacionale Durrës- Vorë- Fushë Krujë ku ka një përqendrim të forcave policore dhe një numër të lartë kamerash sigurie.

Në Durrës vazhdon të ketë një numër të madh forcash speciale të ardhura nga Tirana, RENEA dhe FNSH.