Lajme

Plas testosteroni te Reforma Zgjedhore, Gjiknuri i ankohet Murrizit

Duket se mbledhjet e komisionit të posaçëm p

Duket se mbledhjet e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore janë kthyer në seanca maratonë që në fund nuk prodhojnë asnjë rezultat. Kjo ka sjellë edhe debate të forta e madje ku nuk mungojnë as batutat mes anëtarëve socialistë në këtë komision dhe deputetëve të rinj të opozitës së re ku qartazi duket se vetëm formalisht janë pjesë e tij. Tirananews.al ka mundur të sigurojë edhe procesverbalin e mbledhjes së këtij komisioni, ku  edhe vetë deputetët e opozitës së re janë të përçarë.

Pjesë nga procesverbali:

Rudina Hajdari –  Një gjë që është shumë e qartë nga opozita dhe kolegët e mi janë të hapur të flasin vetë në lidhje me këtë gjë: në asnjë lloj mënyrë nuk do të pranojmë një proces me dy faza. Këtë gjë nuk do ta marrim fare përsipër. Detyra jonë është që ne të vijmë me një lloj propozimi konkret, të kemi një vendim qartazi se cili është sistemi që ne do të shtyjmë përpara. Pra, të mos thotë zoti Roshi një gjë tjetër, zoti Alimadhi një gjë tjetër, Rudina një gjë tjetër apo zoti Murrizi një gjë tjetër. Ne të gjithë si opozitë kemi për detyrë të kemi një sistem të qartë dhe detyra jonë, në mënyrë që të ecim në mënyrë paralele me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, është që ta bëjmë brenda dhjetorit.

Muslim Murrizi – Edhe unë mbështes absolutisht atë që tha zonja Hajdari. Të njëjtën gjë ia thamë para gjysmë ore Boshartit dhe Sorekës, që ne nuk votojmë në dy, tre apo në gjashtë faza. Reforma zgjedhore nuk është garë 4×4, që të bëhet me stafeta. Që të jemi më konkretë ata mund të kenë detaje teknike apo jo në draftin që mund të na e keni vënë në dispozicion, se shoh disa nene të ndryshuara aty. Ky komision duhet të përqendrohet në katër pika kryesore, pastaj mund ta ndani në nënparagrafë si të doni, siç ka ndarë Gjermania dy pika në nëntë paragrafë. Së pari është sistemi zgjedhor. Së dyti është depolitizimi i komisioneve. Së treti është financimi i partisë. Së katërti është vota e emigrantëve. Ju me atë “kçk”-në, po gjetët lekë për të blerë vota, për t’i bërë 84, rrugë e mbarë ju qoftë, se shpejt keni për t’ia parë hajrin!

Damian Gjiknuri- Ju lutem, me radhë. Unë po them: ejani me propozim në lidhje me sistemin zgjedhor. Ju do të vini me një propozim, ramë dakord. E dyta, të ecim me paketën e rekomandimeve të ODIHR-it. Unë them të ecim me këtë, të mos e mbajmë peng si proces vetëm e vetëm që, po nuk u bë kjo nuk do të ecë asgjë tjetër. Në fund të fundit pastaj, në qoftë se vendosni ju politikisht, që do ta mbani peng, kjo është zgjedhja juaj, është një proces që ju e vlerësoni vetë, nëse do të fitoni politikisht apo do të humbni më shumë. Kjo është çështja juaj. Unë nuk jam këtu për t’ju dhënë mendim, që po bëni zgjedhjen e duhur.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Damian Gjiknuri –  O Myslim, të thashë pra. Unë mendoj t’i miratojmë këtu. Ka dy miratime, ka dy votime: votimi këtu, mes nesh, dhe votimi në parlament. Votimi mes nesh nuk na pengon të themi se paketa është gati. (Ndërhyrje pa mikrofon) Po nuk e ke sistemin fare. Sistemi është ndryshim në Kushtetutë. (Ndërhyrje pa mikrofon) Të lutem, të lutem tashti! Rekomandimet e ODIHR-it duhet të ecin, t’i kemi ne këtu.

Myslim Murrizi – Po pse? Nuk i dua fare, nuk i dua ato, nuk i votoj.

Damian Gjiknuri – Mirë pra, dakord, Myslim, e the qëndrimin tënd!

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Damian Gjiknuri – Po u prish rregulli këtu, ne ca jemi me nivel testosteronesh të larta, do të vijnë edhe ca të tjerë nga jashtë dhe nuk do të bëjmë më asnjë bisedë. Kur kemi debate dhe ftohen të gjithë aktorët politikë, do të flasin të gjithë. /Marrë nga: Tirananews.al/


Etiketa: , , ,