Sport

Piloti i Formula 1: E pashë vdekjen me sy, por dola nga zjarri për fëmijët e mi

Romain Grosjean thotë se e kishte parë vdekjen me sy në përplasjen e tmerrshme në garën e Formula 1 në Bahrejn dhe luftoi për të dalë nga makina e përfshirë plotësisht në flakë për shkak të fëmijëve të vet.

Piloti francez pësoi djegie në duar pasi u përplas me shpejtësi prej 220 kilometra në orë në garën e së dielës.

Grosjean u lirua nga spitali të mërkurën, pas një tretmani mjekësor treditor.

“Do të thosha se ndihem i lumtur që jam gjallë dhe që po i shoh gjërat ndryshe”, tha Grosjean.

Duke folur për TF1, ai shtoi: “Por po ashtu e ndiej nevojën për t’u kthyer në garë, mundësisht në Abu Dhabi”.

Duke e përshkruar mënyrën sesi i shpëtoi mrekullisht aksidentit horror, gjatë të cilit ai qëndroi në kabinën e formulës për 30 sekonda i rrethuar nga flaka, Grosjean tha se ndihet gati sikur është lindur për herë të dytë.

“T’i shpëtoja flakës atë ditë është diçka që do të mbetet në jetën time përgjithmonë. Shumë njerëz kanë shfaqur dashuri për mua dhe kjo më k prekur shumë dhe shpesh sytë m’u mbushen me lot”, theksoi ai.

“Mua m’u duk se zgjati shumë më shumë se 28 sekonda. E pashë flakën duke shpërthur në makinën time. Në ato çaste mendova për shumë gjëra, përfshirë për Niki Lauda, dhe thashë me vete se nuk ishte e mundur të mbaronte në këtë mënyrë, jo tani. Nuk mund ta përfundoja historinë time në Formula 1 ashtu”, tregoi ai.

“Dhe pastaj mendova për fëmijët e mi. I thashë vetes se duhet të dal nga këtu. I vura duart në zjarr, prandaj e ndjeva djegien. Pastaj dola jashtë makinës dhe e ndjeva dike duke më tërhequr, në atë çast e kuptova se kisha dalë jashtë”, shtoi ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is Formula-One-driver-Romain-Grosjean-survives-fiery-crash-600x360.jpg