Lajme

Pikpyetjet për të ardhmen e BE-së

Pas një transferimi të sovranitetit, BE duhet

Pas një transferimi të sovranitetit, BE duhet të funksionojë si një konvergjencë e shteteve, ku secili prej tyre të ruajë veçantitë historike, ekonomike dhe institucionale. Në të njëjtën kohë, secili shtet duhet të jetë i aftë të punojë për qëllimet dhe interesat e Evropës

Nga Riçardo Gotti Tedeschi*

Si në një arenë romake, ku secila “palë” mbahet fort dhe ashpër, të gjitha debatet e fuqishme kërkojnë dy palë kundërshtare. Por shumë shpesh, në mes të betejës, nuancat e debatit, si dhe pjesë nga përmbajtja, humbasin. Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh në lidhje me debatet mbi origjinën (dhe meritat) e Bashkimit Evropian.

Një debat i parëndësishëm në Itali?

Referencat për debatin e vazhdueshëm midis zyrtarëve pro-BE dhe populistëve anti-BE në Itali kanë qenë të heshtura. Por ka pasur disa ndryshime në mënyrën se si janë portretizuar pozicionet e ndryshme të ngulitura në këtë debat, veçanërisht gjatë zgjedhjeve evropiane në fund të majit: globalistët kundrejt nacionalistëve, statistët kundrejt liberalëve, demokratët kundrejt republikanëve, pro-tregut përkundrejt pro-shtetit, etj. Këto përshkrime rudimentare dhe të thjeshta kanë bërë që debati, cilësia dhe metoda e tij të duken të parëndësishme.

Në vazhdën e zgjedhjeve, konteksti i këtij debati u prek gjithashtu nga qëllimet e votuesve. Ndarja e dukshme midis ‘Persëve’ pro-BE (historikisht imperialist me vokacion, duke ndjekur një perspektivë uniteti dhe paqeje) dhe “spartanëve” pro-sovranitetit (si mbrojtës të pavarësisë së tyre, trashëgiminë e tyre kulturore dhe familjare), fshehu një strategji më domethënëse – atë të realizuar nga partitë politike (ose çfarë mbetet prej tyre). Ishte një strategji që përqendrohej në avancimin e argumenteve më të përshtatshëm; ato që do të arrinin te shumica e votuesve.

Ishte një strategji e vrazhdë. Por vëmendja duhet t’i kushtohet një rezultati të veçantë, të cilin mund të krijojë një strategji e tillë: mund të frymëzojë disa njerëz të zgjuar të shndërrohen në populistë për shkak të pozicioneve globaliste, ndërsa të tjerët mund të shndërrohen në globalistë për shkak të populizmit! Kjo nuk do të ishte aspak befasuese duke pasur parasysh trazirat aktuale politike në Itali, veçanërisht pasi pozicionet globaliste/populiste duket se janë dy të kundërta të së njëjtës monedhë: secila i referohet vetëm një pjese të një debati, një debat i cili ka një kontribut të kufizuar në ligjërimin publik – sepse asnjë nga fraksionet e ndryshme nuk ka me të vërtetë një ide të fortë, thelbësore, apo edhe koherente.

Nuk ka rëndësi nëse ky debat ka krijuar kontradikta nga të dy palët. Ajo që vërtet ka vlerë në këtë debat është, së pari, marrja e konsensusit dhe, së dyti, zgjerimi i këtij konsensusi. Në një kontekst të tillë, klithmat e njerëzve që kërkojnë një ‘dalje’ nga Euro; besimi se mënyra e vetme për ‘shpëtim’ është largimi nga BE, pa e dalluar madje BE-në nga EMU (Unioni Monetar Evropian), të kenë të njëjtën peshë si evropianizmi më “i zjarrtë”, siç ilustrohet nga ata aktivistë pro-BE që tundnin flamuj në profilin e tyre në Twitter. Gjëja qesharake që këta njerëz kanë të përbashkët është ndoshta i njëjti (mungesë) bagazh i njohurive në lidhje me Bashkimin Evropian, strukturën dhe institucionet e tij.

Sidoqoftë, një mendimtar i lirë dhe i arsimuar ka akoma të drejtën për të zgjedhur “qershinë” midis këtyre pozicioneve. Nga kjo tufë lëkundëse e pozicioneve të ndryshme, ai ose ajo, ende mund të identifikojë pozicionet dhe argumentet më të mira, të parashikuara që të jenë shumë të qarta për ato që lexojnë dhe komentojnë.

Një rol më i fortë për Parlamentin Evropian

Reforma e arkitekturës institucionale të BE-së është, pa dyshim, një çështje problematike dhe interesi dhe entuziazmi i publikut për këtë temë ka përfunduar. Le të marrim Parlamentin Evropian. Parlamenti gjithmonë është konsideruar një lojtar dytësor në drejtimin e Bashkimit Evropian. Megjithëse Parlamenti ka fuqi legjislative, ai nuk posedon zyrtarisht aftësinë për iniciativë legjislative si shumica e parlamenteve kombëtarë të shteteve anëtare të BE-së. Parlamenti, me të vërtetë, ndan fuqi të barabarta legjislative dhe buxhetore me Këshillin Evropian (përveç në disa fusha ku zbatohen procedura të veçanta legjislative) dhe ai mban kontroll të barabartë mbi buxhetin e BE-së.

Prandaj, nga pikëpamja institucionale, ekzistojnë disa sfida që kërkojnë rregullime specifike për të garantuar më shumë pjesëmarrje dhe më shumë përfaqësim të të gjithë qytetarëve të BE-së. Këto përfshijnë rritjen e kompetencave të Parlamentit dhe Komisionit Evropian, ndoshta tejkalimin e rrezikut të theksuar të konfliktit që ekziston midis fuqive legjislative dhe ekzekutive (siç është funksioni i ‘rojtarit’ të mbajtur nga Komisioni Evropian përballë Shteteve Anëtare). Zgjerimi i fuqisë së Parlamentit gjithashtu do të zhvendoste ekuilibrin e fuqisë nga jashtë BE (Këshilli, i cili mblidhet në 10 konfigurime të ndryshme të 28 ministrave kombëtarë, një për secilin shtet) në union. Kjo do t’i jepte më shumë peshë një organi si Parlamenti, që përbëhet nga 751 anëtarë, të gjithë të zgjedhur direkt nga qytetarët e secilit shtet anëtar.

Një Parlament Evropian ‘më i fortë’ përcakton qartë një mjet të rëndësishëm përfaqësimi dhe unifikimi. Zgjedhjet në majin e kaluar u përqendruan në shumë çështje që lidhen me idenë e lëvizjes drejt një Evrope të qytetarëve të angazhuar, një Evrope të qytetarëve që zotërojnë kontinentin e tyre. Sidoqoftë, kjo ide është ndikuar shumë nga çështja e nivelit makro të identitetit. Por, sa ndjejnë qytetarët e shteteve anëtare të BE-së se ata me të vërtetë i përkasin BE-së pa ndonjë “ndërmjetësim” të vendit të tyre? Kjo pyetje është çelësi për të kuptuar më mirë se si Evropa ka ndryshuar ndër vite dhe kërkon që ne të marrim parasysh një nga qëllimet e Bashkimit Evropian, të përcaktuara në nenin 3 të Traktatit të BE-së: Unioni “do të promovojë kohezion ekonomik, social dhe territorial dhe solidaritet midis shteteve anëtare”.

Parimet e Traktateve të Romës

Çështje të tilla lidhen me një pyetje paraprake e cila është: Cila Evropë i mbizotëron debatet aktuale? Përgjigjet e dhëna aktualisht nga mjedisi politik janë mjaft të kufizuara. Kështu që ne duhet të sqarojmë disa fakte të rëndësishme në lidhje me të kaluarën e historisë së BE-së dhe hapat që udhëheqësit e saj kanë ndërmarrë ndër vite.

Procesi i integrimit evropian ka qenë mjaft përparimtar. Është shënuar nga një evolucion i befasishëm ligjor që nga krijimi origjinal i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ajo është zhvilluar si një platformë e pajisur me një sistem të ndërlikuar të institucioneve mbikombëtare, të gjitha synojnë të veprojnë në përputhje me kompetencat që i përkasin secilit shtet anëtar.

Siç dihet, institucionet evropiane që u krijuan në periudhën e pasluftës u krijuan me qëllim të ofrimit të përgjigjeve ekonomike për çështje ekonomike dhe politike, por me kalimin e kohës ndikimi erdhi duke u bërë gjithnjë e më i thellë politikisht, si brenda Bashkimit Evropian dhe jashtë BE-së (d.m.th. sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare). Duke filluar nga nënshkrimi i Traktateve të Romës në 1957 (Traktatet atëherë hynë në fuqi më 1 janar 1958), evolucioni ligjor pasqyron vizionin e ‘baballarëve themelues’ të Evropës: De Gasperi, Schumann, Adenauer dhe Monnet. Këta burra vërtet besuan në nevojën për t’i siguruar Evropës një strukturë të aftë, jo vetëm për të përmbushur rolin e saj ndërkombëtar, por edhe për të shërbyer si kujdestar i identitetit specifik kulturor, politik dhe kombëtar të secilit shtet anëtar.

Ndërtimi progresiv i BE-së, përmes Komunitetit Ekonomik Evropian dhe Komunitetit Evropian, ndërmori hapat më të dukshëm përpara me Traktatin e Maastricht (1992), megjithëse mjaft rëndësi duhet t’i jepej Deklaratës së Milanit të vitit 1985, e cila parashikonte një konsensus të përgjithshëm mbi reformat institucionale, pasuar nga “rregullimi” i arritur përmes Traktatit të Amsterdamit (1999), dhe modifikimit dhe thjeshtësimit të kërkuar nga Traktati i Lisbonës (2007). Përkundër këtyre fazave në zhvillimin e tij, rrënjët kulturore dhe politike të BE-së vazhdojnë të mbështesin çdo modifikim ligjor ose strukturat burokratike që mund të shfaqen.

“Etërit themelues” të BE-së e kuptuan mjaft mirë se rendi politik i secilit shtet anëtar duhet të përfaqësohet brenda strukturave institucionale dhe proceseve vendimmarrëse të Unionit. Por këtu ndodh fërkimi: historia na ka mësuar se çdo përpjekje për të përqendruar kontrollin e çdo formule lokale kulturore ose shoqërore ka shkaktuar, me kalimin e kohës, tension, duke sjellë përfundimisht kërcënime për t’u larguar nga BE. Brexit-i është një shembull.

Pas një transferimi të sovranitetit, BE duhet të funksionojë si një konvergjencë e shteteve, ku secili prej tyre të ruajë veçantitë historike, ekonomike dhe institucionale. Në të njëjtën kohë, secili shtet duhet të jetë i aftë të punojë për qëllimet dhe interesat e Evropës. Në fakt, pranimi dhe zbatimi i parimeve të subsidiaritetit dhe ekuivalencës nga të gjitha entitetet e përfshira, BE, Shtetet Anëtare dhe autoritetet lokale, nënkupton një ri-pozicionim të kompetencave në nivelin e secilit Shtet Anëtar. Ata duhet të kryejnë detyrat e integrimit dhe ndërmjetësimit në lidhje me problemet lokale, ndërsa në të njëjtën kohë, monitorimin e pajtueshmërisë dhe harmonizimit brenda BE.

Vizioni fillestar i vitit 1957 për BE u përqëndrua në krijimin e një “komuniteti të lidhur nga fati” – i shënuar nga një lidhje e paqartë me një sistem vlerash të përbashkëta. Kjo kërkoi, në radhë të parë, që liderët evropianë të pranojnë rrënjët e krishtera të Evropës. Në radhë të dytë, kërkoi gjithashtu që pasuria e secilit Shtet Anëtar të përmirësohej. Por a mund të kishin parashikuar “baballarët themelues” se një komunitet i tillë do të shndërrohej në thjesht “bashkësi interesash”? Kjo ngre dyshime…

Roma kundrejt Ventotene

Vëmendja jonë duhet të kthehet në parimet origjinale që frymëzuan Traktatet e Romës. Ata nuk duket se po udhëheqin përpjekjet e BE-së. Përkundrazi, projekti aktual evropian duket se udhëhiqet nga një elitë e vetë-përzgjedhur. Ata nuk kanë ndonjë mandat të vërtetë popullor. Agjensitë e BE-sw drejtohen nga burokratë, interesa të veçanta dhe lobime të ndryshme. Në një kontekst të tillë, përballë interesave kaq të fuqishme, vetë Parlamenti Evropian ka shumë pak fuqi. Komisioni Evropian, nga ana tjetër, është po aq joefektiv, pasi emërohet përmes një metode bashkë-zgjedhëse sesa përmes zgjedhjeve publike të hapura dhe transparente dhe është i zgjedhur nga e njëjta elitë.

E vërteta është se vendosja politike e BE-së së sotme, si dhe një kulturë kryesore që simpatizon me një mesazh në dukje të pafajshëm, të paqes dhe bashkimit, shpesh na kujtojnë Manifestin e famshëm Ventotene, i cili gabimisht quhet një “dokument themelues” i Unionit . Ky dokument nuk ka asnjë lidhje institucionale me marrëveshjet themeluese të Komuniteteve Evropiane, por për shkak të kontekstit dhe momentit historik në të cilin është shkruar, është quajtur një “dokument themelues” nga rryma socialiste dhe komuniste, dhe më pas nga një mjedis më i gjerë dhe më institucional, veçanërisht për shkak të trumbetimit që i bën ky manifest domosdoshmërisë së një Kushtetute Evropiane kundrejt “rreziqeve” të shteteve dhe kombeve që konsiderohet se janë shkaktarë të luftërave dhe mungesës së lirisë.

Kjo është një pikë thelbësore e debatit. Ideologjia nacionaliste ishte një shkak kulturor që përdorej nga nënshkruesit e Manifestit për të sfiduar dhe shtyrë për një këputje revolucionare të strukturave të shoqërisë tradicionale, duke filluar nga kombi, kisha, familja dhe prona private, të gjitha duke mishëruar ‘armikun’ që duhej mposhtur, pra forcat reaksionare. Një nxitje e tillë kulturore gjeti gjatë dekadave shumë mbështetës, deri sot ku vlera e saj simbolike është përmirësuar mjaft. Por sinqerisht pyes veten se sa prej atyre që e lavdërojnë Manifestin, në të vërtetë e kanë lexuar atë?!

Manifesti Ventotene u hartua dhe u nënshkrua në 1941 (16 vjet para nënshkrimit të Traktateve të Romës!) nga tre të burgosur politikë (Altiero Spinelli, Ernesto Rossi dhe Eugenio Colorni) internuar në ishullin Ventotene, një ishull i vogël me vendndodhje në mes të Detit Tirren, së bashku me rreth tetëqind kundërshtarët e tjerë politikë të regjimit.

Manifesti identifikon krijimin e një “shoqërie të re dhe një politikëbërjeje të re”. Ai identifikon forcat reaksionare nga njëra anë: “dinastitë” që favorizojnë pushtetin politik kombëtar dhe paraqesin një “pengesë serioze për organizimin racional të Shteteve të Bashkuara të Evropës”, si dhe forcat “konservatore” të përfaqësuara nga drejtuesit e institucioneve të ndryshme, të tilla si “monarkitë, grupet e kapitalizmit monopolist, pronarët e tokave, hierarkitë e larta kishtare dhe përfundimisht priftërinjtë që mbajnë qetësinë e turmës”. Nga ana tjetër, ajo identifikon forcat përparimtare: ata që kërkojnë ta bëjnë Evropën një shtet të fortë dhe monolit, të shënuar nga uniteti ndërkombëtar. Me portretizimin e lëvizjeve të sotme politike dhe shoqërore dhe etiketimin e tyre, mund të shihen paralele të menjëhershme.

Vizioni thelbësor i Manifestit mbështet një strukturë të centralizuar të udhëhequr nga vendet udhëheqëse të Evropës. Edhe pse disa sugjerime të “federalizmit” janë të dukshme në dokument, ai në të vërtetë nuk arrin të sjellë një propozim serioz të një strukture federale, as nuk reflekton në mënyrën më të përshtatshme për të krijuar një komunitet evropian mbi baza progresive.

Një frymë kryengritëse dhe me vendosmëri ‘e majtë’ është e dukshme në Manifest, si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj një regjimi të maskuar nën strukturat natyrore të shoqërisë. Ajo thërret një ‘revolucion’ evropian kundër institucioneve të vjetra konservatore (pjesërisht, përmes krijimit të një partie revolucionare). Kështu, ai kërkon, përmes politikave socialiste, të sigurojë emancipimin e klasave punëtore evropiane dhe krijimin e kushteve më njerëzore të jetesës.

Zeniti i ideologjisë së dokumentit arrihet përmes apelimit të tij, të pabesueshëm, për të shfuqizuar pronën private, për të shtetëzuar industritë, për të kufizuar aktivitetet e Kishës Katolike, dhe vendosjen e epërsisë së përhershme të shtetit mbi të gjitha aspektet e jetës qytetare.

Është mjaft interesante të theksohet se kundërshtimi ndaj “regjimit” shtyhet përmes promovimit të një plani të saktë të “sovjetizimit” të shoqërisë (nuk është çudi një synim i tillë duke marrë parasysh ngacmimin e z. Spinelli për Trockinizmin). Sipas nënshkruesve të Manifestit, socializmi duhej të përfaqësonte të ardhmen e Evropës, dhe për këtë arsye idetë abstrakte të drejtësisë dhe përparimit duhej të kishin zënë vendin e një “Bashkimi të diversiteteve” (ose një komuniteti kulturor, siç e kishin konceptuar baballarët e vërtetë themelues, Europën).

Me pak fjalë, në vend që të përtërijë qëllimet fisnike të ‘baballarëve themelues’, Manifesti i Ventotenit është i mbushur me një shpirt rebel dhe madje revolucionar, i cili dhe ky aspekt duhet të theksohet shumë qartë, u refuzua nga ‘baballarët themelues’ efektivë, për të cilët vizioni ishte shumë i ndryshëm siç u përmend më lart, por që doli në dritë më vonë.

Një pikë kthese ishte Traktati i Mastrihtit, nënshkruar në vitin 1992. Që atëherë Bashkimi Evropian ka theksuar aspektin e tij racionalist dhe konstruktivist, i cili ndjek parimet e Manifestit në arsyetimin e qëllimit për krijimin e një “super-entiteti” abstrakt, me sa duket i përsosur dhe burokratik përtej një bashkimi të shteteve të ndryshme anëtare.

Tani është kthyer në një projekt të ndërtuar “nga lart” dhe i polarizuar në vendet më të forta. Që prej atëherë, Evropa nuk është konceptuar më si një bashkim i atyre vlerave që ne i quajmë “perëndimore”, por si një grup rregullash abstrakte, të vendosura një herë e përgjithmonë. E gjithë kjo, natyrisht, shkon kundër një ndjenje pro-evropiane, e cila, përkundrazi, duhet të marrë formë konkrete në institucionet politike të krijuara “nga poshtë”.

Po kjo frymë me siguri frymëzoi vendimin e Renzit, Merkelit dhe Hollande që të takoheshin në Ventotene për një samit të nivelit të lartë në gusht 2016. Nëse Renzi mori “urdhërin e marshimit” në këtë moment dhe që prej Italisë pritej një sjellje brenda frymës që promovohet në manifest, mbetet ende e paqartë. Por nëse marrim në konsideratë të gjitha makinacionet e prapa-skenave të tre viteve të fundit (duke arritur kulmin me Traktatin e fundit në Aquisgrana, një marrëveshje midis dy shteteve anëtare, Gjermanisë dhe Francës, marrëdhëniet e të cilëve me traktatet e BE-së nuk janë aspak të qarta), është e vështirë të mos konkludosh që kjo ishte e mundshme.

Duke marrë parasysh sa më sipër, më kujtohet paralajmërimi i shprehur fillimisht nga intelektuali brazilian, Plinio Corrêa de Oliveira. Ai paralajmëroi se pas revolucionit protestant, francez dhe atij të Tetorit 1917, bota do të shtyhej gjithnjë e më shumë drejt një “revolucioni të katërt”, i karakterizuar nga vetëqeverisja socialiste dhe një zbritje në tribalizëm. Fryma e Manifestit të Ventotenit është e ngjashme, nëse jo identike, me atë të “revolucionit të katërt” dhe fryn për aq kohë sa qasja e centralizuar, burokratike dhe racionaliste do të mbizotërojë brenda Bashkimit Evropian, duke shtypur specifikat dhe diversitetet e secilit shtet anëtar.

Përtëritja e “Frymës së themeluesve”

Cila është përgjigjia? Së pari, Manifesti i Ventotenit duhet të vendoset në “pluhurin e historisë”, së bashku me të gjitha ideologjitë e tjera të dështuara dhe të harruara të së majtës. Së dyti, ne duhet të përpiqemi të përfshihemi në një debat real dhe konstruktiv mbi BE-në në mënyrë që proceset e duhura të mund të zbatohen dhe të çojnë në një modifikim rrënjësor të “arkitekturës” së tanishme (kryesisht përmes ndryshimit të Traktateve të tij origjinale).

Në të vërtetë, strukturat dhe qeverisja e BE-së tashmë kanë devijuar shumë herë nga ideja origjinale (mbase duhet t’i quajmë këto “shtrembërime”). Kjo është, pjesërisht, për shkak të një institucioni politik, i cili ishte plotësisht i papërgatitur për qeverisje demokratike dhe i cili vazhdimisht ka dëshmuar se është distancuar në mënyrë dramatike nga vizioni, fryma dhe kuptimi origjinal i “baballarëve themelues”.

Zgjedhjet gjatë majit të kaluar, megjithatë, duket se demonstrojnë faktin se qytetarët evropianë nuk janë më të gatshëm të vazhdohet me distancim të mëtejshëm nga qëllimi origjinal i projektit evropian. Në fakt, rezultatet zgjedhore sugjerojnë që tendencat anti-establishment dhe populiste që shihen në Evropë, që nga Britania e Madhe në Francë, dhe nga Italia deri në Poloni, po rriten.

Këto sigurisht që do të jenë një “gjemb” për BE-në. Dhe ndërsa autoritetet evropiane dhe elitat e tjera politike kanë qenë të shpejtë për t’i hedhur poshtë prirjet e tilla, e vërteta është se të jesh skeptik ndaj projektit evropian sot nuk do të thotë se je kundër Evropës. Kjo e bën gënjeshtër pretendimin e elitave politike sot se Eurosceptikët dhe Populistët janë disi antidemokratikë apo edhe ‘fashistë’.

Më e rëndësishmja, duke ecur përpara, shpresohet se rezultatet e zgjedhjeve do të shërbejnë si një nxitje për të gjithë evropianët për të gjetur një mënyrë të re përpara për BE-në, që përfshin minimalisht gjetjen e një lloji të ri të qeverisjes.

Po aq befasuese sa ishin rezultatet zgjedhore të majit për shumë vëzhgues, mund të merret në konsideratë fakti se ato mund të kthehen në katalizatorin e duhur, në kohën e duhur, që të mund të nxisin ndryshime të rëndësishme në Kontinent. Ato madje mbajnë gjallë premtimin se evropianët kudo do të përfshihen në një analizë më të thellë dhe më rigoroze të ‘idesë së Evropës’- një gjë që ndoshta mund edhe të çojë në një kthim pas në vizionin e saj origjinal. Vetëm në këtë mënyrë fryma që gjallëroi ‘baballarët themelues’ mund të lëvizë edhe një herë në kontinent.

Burimi: europeanconservative – Përshtati në shqip Gazeta Mapo


Etiketa: , ,