Lajme

Pfizeri ia konfirmon Kosovës blerjen e vaksinave për COVID-19

Kompania Pfizer/BioNTech ka konfirmuar blerjen e vaksinave për COVID-19 nga Kosova, ka njoftuar ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

“Edhe një lajm i gëzueshëm për mua, dhe qytetarët e Kosovës, që pas shumë negociatash dhe shkëmbim të shkresave, vjen konfirmimi për blerjen e vaksinave nga Pfizer-BioNTech”, shkroi ai në Facebook.

Zemaj ka shkruar se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të vazhdojë me efikasitet të finalizojë pjesën e marrëveshjes për blerjen e vaksinave.

Ndërkaq, ka bashkangjitur letrën që i ka dërguar përfaqësuesit të Pfizer/BioNTech, Roberto Rocha:

I nderuari zt. Rocha,

Më në fund, ky është një lajm i gëzueshëm për mua dhe qytetarët e Kosovës që pas shumë negociatash dhe shkëmbim të shkresave, në fund ju mund të dërgoni dokumentacionin për nënshkrim të marrëveshjes së blerjes së vaksinave nga Pfizer/BioNTech.

Më lejoni të ju informoj se nga data 22.03.2021 ne kemi Qeveri të re të Kosovës, ku po ashtu ka edhe Ministër të ri të Shëndetësisë që është z. Arben Vitia (që është cc në këtë e mail).

Si i autorizuar në emër të Qeverise së Kosovës për blerje dhe negocim tani kjo përgjegjësi kalon te Qeveria e re (Kryeministri apo Ministri i Shëndetësisë), andaj duke ju lutur me konsideratën më të lartë ju lutem të njëjtin dokument ta dërgoni te Ministri z. Arben Vitia.

Njëherësh kërkoj po ashtu nga pasardhësi im që të ju përcjell menjëherë vazhdimin e kontaktit për marrjen e vaksinave të shumëpritura nga ana jonë.

Duke ju falënderuar ju, ekipin tuaj po ashtu ish ekipin tim negociues besoj që shumë shpejt do të finalizoni pjesën e marrëveshjes për blerje e cila siguron vaksinim në masë të qytetarëve të Kosovës në luftimin e pandemisë globale Covid-19.

Me respekt,

Armend Zemaj, ish Ministër i Shëndetësisë të Republikës së Kosovës