Kosovë

Pesë milionerët që u zgjodhën deputetë

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të ketë në përbërje pesë milionerë. Pasuria e tyre fillon nga 1 milion euro, derisa ka edhe deputetë që zotërojnë pasuri deri në 700 milionë euro. Detaje se kush janë këta deputetët milionerë dhe sa pasuri kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Një prej milionerëve të vendit ka arritur që të sigurojë votat e nevojshme për të qenë deputet i kësaj legjislature. Bëhet fjalë për Behgjet Pacollin, i cili vlerësohet të jetë njeriu më i pasur në vend.

Shtëpitë, tokat milionëshe, avioni privat, veturat, aksionet në shumë kompani e miliona euro para të gatshme nëpër institucione financiare, i mundësojnë atij që të jetë i pari në listën e zyrtarëve milionerë të vendit.

Vetëm një tokë që Pacolli e ka jashtë vendit kushton mbi 7 milionë euro, derisa një nga shtëpitë që ka në pronësi ai kushton rreth 18 milionë euro.

Ai ka në pronësi edhe hotelin Sëiss Diamond, vlera e të cilit llogaritet të jetë 42 milionë euro. Në total, vlera e pasurive të paluajtshme që posedon ai shkon në rreth 200 milionë euro.

Përveç veturave të shumta që zotëron, Pacolli ka edhe avion privat, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 10 milionë euro.

Pasuria e ish zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka aksione në vlerë rreth 500 milionë euro në rreth 20 kompani, në disa prej të cilave ka aksione 100%.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth pesë milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding, depozitat në bankë dhe Kuvendi i Kosovës.

Pal Lekaj

Një milioner tjetër që do të jetë sërish pjesë e Kuvendit të Kosovës është edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Lekaj ka deklaruar se ka në pronësi një tokë në vlerë 1 milion e 500 mijë euro, një shtëpi që thotë se kushton 280 mijë euro dhe një banesë, vlera e të cilës sillet rreth 80 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar dy veturat e tij në vlerë rreth 30 mijë euro, veturën e bashkëshortes që kushton gati nëntë mijë euro dhe veturën e fëmijëve në vlerë 16 mijë euro.

Ish ministri ka para të gatshme në banka 3 mijë euro, derisa bashkëshortja dhe fëmijët kanë para cash në vlerë afër 11 mijë euro.

Lekaj ka edhe detyrime financiare ndaj bankave. Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, figuron se ai ka kredi në vlerë 75 mijë euro që e kishte marrë për blerjen e një banese, kohëzgjatja e së cilës është 10 vite.

Si të hyra vjetore, ai e ka deklaruar pagën që e kishte marr si Ministër i Infastrukturës, në vlerë 22 mijë euro.

Ljubinko Karagjiq

Milioner është edhe deputeti nga radhët e Listës Serbe, Ljubinko Karagjiq. Vetëm një tokë që e zotëron, ka vlerë 1 milion e 300 mijë euro.

Përveç tokës, ai ka edhe një shtëpi në vlerë 100 mijë euro, apartament që kushton 60 mijë euro dhe mal.

Si pasuri të luajtshme, Karagjiq ka deklaruar veturën e tij që thotë se kushton 15 mijë euro.

Ai ka 2 mijë euro të gatshme në banka, derisa bashkëshortja e tij ka rreth 4 mijë euro. Bashkëshortja e tij ka edhe një kredi në vlerë 30 mijë euro.

Karagjiq merr 13 mijë euro të hyra vjetore. Të njëjtën shumë e merr edhe bashkëshortja e tij.

E për dallim nga këta deputetë që pothuajse të gjithë pasurinë e kanë në emër të tyre, janë edhe gjashtë deputetë që janë milioner me pasurinë e familjes.

Valentina Bunjaku-Rexhepi

Bazuar në deklarimin e pasurisë, milionere është edhe deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputetja e LDK’së ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët tri lokale afariste në vlerë rreth 900 mijë euro dhe dy shtëpi në vlerë mbi 500 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, ajo ka deklaruar veturën e saj në vlerë 10 mijë e 500 euro, veturën e bashkëshortit që kushton 9 mijë e 500 euro dhe një veturë të përbashkët, vlera e së cilës sillet rreth 4 mijë e 500 euro.

Bashkëshorti i saj është edhe aksionar në një kompani. Vlera e aksioneve që ka në pronësi sillet rreth 52 mijë euro.

Deputetja i ka 800 euro të gatshme në bankë dhe një kredi në vlerë 25 mijë euro, me kohëzgjatje pesë vite.

Të hyrat e saj vjetore sillen rreth 15 mijë euro.

Valon Ramadani

Pasuri milionëshe ka edhe familja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadanit. Vetëm tri troje që posedon babai i tij kapin vlerën e mbi 3 milionë euro.

Vetë Ramadani ka në pronësi një veturë në vlerë 15 mijë euro, që thotë ta ketë blerë nga kursimet, derisa bashkëshortja e tij ka një veturë që kushton pesë mijë euro dhe stoli ari në vlerë katër mijë euro.

Si para të gatshme, ai i ka deklaruar rreth 4 mijë euro, që i zotërojnë fëmijët e tij.

Të hyrat vjetore të Ramadanit sillen rreth 22 mijë euro, të cilat i merr si pagë dhe mëditje nga Kuvendi i Kosovës.