Lajme

Personazh/ Nita, avokatja modeste në një nismë për

Nga Alessia Selimi

Me një shkollim dhe

Nga Alessia Selimi

Me një shkollim dhe karrierë për t’u patur zili, e pandihmuar nga askush, Nita Shala thotë se shpesh herë mjafton veçse vullneti i mirë për t’i çuar gjërat përpara. Tepër e çiltër, pohon se nuk ka qenë aspak një rrugëtim i lehtë. Ajo ka hasur pengesa të shumta për t’u bërë pjesë e stafit akademik në Universitetin Publik të Prishtinës. Shkak u bë nepotizmi në këtë institucion. E shumë vite më parë, Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë nuk e mori aspak parasysh profilin e saj profesional. Por, pavarësisht gjithçkaje, Nitës i pëlqen fort të reflektojë atë se çka i mëson sot studentëve; besimin në drejtësi.

Në këtë të diel, Mapo i drejtohet pikërisht për qëndrimin ndaj drejtësisë së epur, besimin e palëkundur në një konstrukt të  shëndetshëm shoqëror, si dhe për këmbënguljen për drejtësi tranzicionale. E ndarë midis Tiranës dhe Prishtinës, Nita e pranon ftesën tonë me shumë dashamirësi. Pa u kursyer aspak, tregon nyjet që e mbajnë lidhur ngushtë me këto dy kryeqytete.

Nita ka mbaruar studimet bachelor në Fakultetin Juridik dhe e vazhdoi masterin në drejtësi për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar Financiar në Itali. Ka fituar gjithashtu gradën magjistër për Kriminologji në Universitetin e Oxfordit. Por, kjo nuk është e tëra. Nita ka përvojë pune në institucione tejet të rëndësishme, jo vetëm në Shqipëri. Njihet po ashtu si themeluesja dhe drejtuesja e Global Shapers në Tiranë, iniciativë e Forumit Ekonomik Botëror për të angazhuar të rinjtë anembanë botës në zgjidhjen e problemeve në nivel vendor, rajonal dhe global. Dhe si e tillë, do të marrë pjesë në takimin e përvitshëm të Forumit (Davos 2020), ku do të ketë mundësi të dialogojë me drejtues biznesi, politikanë, përfaqësues akademie, udhëheqës fetarë dhe me mediat nga e gjithë bota.

******

Ju keni investuar tmerrësisht shumë në shkollimin dhe karrierën tuaj. Si e keni parë veten përgjatë viteve?

Unë vij nga një familje avokatësh. Babain e kam patur avokat dhe gjyshin jurist, si dhe aktivist të të drejtave të njeriut në një kohë ku këto të fundit përdhoseshin haptazi. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e kam kaluar pikërisht me tim gjysh, i cili ka qenë pjesë e atij grupi mendimtarësh që është përndjekur sistematikisht në Kosovë. Kësisoj, përkushtimi im në fushën e drejtësisë, nuk vjen nga hiçi. Po të kthej kokën pas, mund të them se kam qenë një njeri shumë sistematik, fjalëpak dhe punëshumë. Për mua ka prevaluar gjithmonë dëshira për të bërë gjëra pozitive, për t’i dhënë jetë impaktit social.

Themeluesja dhe drejtuesja e Global Shapers Tirana. Çfarë ju shtyu për t’u identifikuar si e tillë?

Sikurse mund ta dini, Global Shapers Tirana është iniciativë e Ëorld Economic Forum. Bashkëpunimi im me këtë të fundit ka lindur gjatë kohës që kryeja studimet për doktoraturë në Gjenevë. Kam qendruar në atë qytet për katër vite e gjysmë. Kësisoj, bashkëpunimi me Ëorld Economic Forum lindi me idenë për të adresuar probleme vendore, por edhe për të menduar për probleme globale. Shoqëria jonë funksionon çuditshëm; brenda një konstrukti social ku gjithsecili, ndonëse e sheh veten të njëllojtë me palën përballë, veçmas mundohet të jetojë brenda sojit të tyre. Ndërkohë, problemi qëndron në faktin se të gjithë prekemi nga po të njëjtat probleme. Ideja për të parashtruar ide e zgjidhje, padyshim…kjo më shtyu për të marrë përsipër postin e themelueses dhe drejtueses së Global Shapers Tirana.

Global Shapers Tirana është konceptuar nga Forumi Ekonomik Botëror me qëllimin për të angazhuar të rinjtë. Si i shihni ju të rinjtë përballë problemeve vendore, rajonale dhe globale? Pikaset tek to interes dhe dëshirë për t’u angazhuar?

M’u kërkua që të themeloja Global Shapers në Tiranë, pasi u ktheva në Shqipëri. Kryeqyteti ishte pa një të tillë dhe sfida kryesore ishte ajo e të gjeturit të rinj të motivuar. Mund të dëgjosh pa frikë lartë e  poshtë se rinisë sonë i kanë dhënë antibiotik, por besomëni që nuk është e vërtetë. Unë jam njohur me mjaft të rinj dhe të reja që u ka lindur natyrshëm interesi për t’u angazhuar. Jam munduar t’i lë të kuptojnë se homologët e tyre kanë arritur të përmirësojnë dhe ndryshojnë shumë gjëra në vendin e tyre, vetëm në sajë të aktivizmit të tyre të thekshëm. Dhe, dal në konkluzionin se kjo “strategji” ka qenë e suksesshme…Global Shapers Tirana ka aktualisht ekspertë ligjorë në pozicione të ndryshme, si jurist apo ekonomistë.

“Ne zotohemi se do të eleminojmë tek fëmijët problemet e korrigjueshme të shikimit në Shqipëri.” Një premtim goxha i fortë…

I fortë, por tërësisht i mundur. Global Shapers Tirana ka arritur të ndërtojë një marrëdhënie bashkëpunimi me liderin botëror në optikën okuliste, Essilor. Kemi marrë përsipër 24 shkolla në kryeqytet, ku shaper-at tanë ( individë formatues; me objektiva të mirëpërcaktuara) trajnojnë mësuesit për t’i bërë nxënësve një test me shikimin e shkronjave. Ata që nuk e kalojnë testin, vizitohen nga mjekët e QSUT-së. Në bazë të rekomandimit të marrë, nxënësit përfitojnë syzet nga Essilor. Në këto momente që po flasim, 15 mijë fëmijë kanë përmirësim të ndjeshëm dhe pozitiv të shikimit. Dhe të mendosh që jemi vetëm në fazën pilot…

Keni ndërmarrë edhe projektin e të promovuarit tek fëmijët konceptin e dinjitetit, që për hir të së vërtetës fut në kurthe labirinti edhe vetë të rriturit…

Është mjaft e vërtetë kjo që sapo thatë. Kur flasim për të drejtat e njeriut, për çdo dokument në nivel ndërkombëtar (Konventa Europiane, Karta), principi bazë është faktikisht dinjiteti dhe nevoja për të mbrojtur dinjitetin tend dhe të tjetrit. Normalisht që ne nuk i vendosim fëmijët përballë trysnisë për të ofruar një përkufizim të shtjelluar të konceptit dinjitetit, por i paraqesim shembuj. Ata reagojnë në një mënyrë spektakolare, duke na çuar rrjedhimisht tek bullizmi, diskriminimi dhe jo vetëm…Kësisoj, në një farë mënyre, ushqejmë vlerat themelore që duhen mbrojtur.

Për t’u rikthyer në të shkuarën, ju keni punuar në vitin 2009-2010 në Gjykatën e Hagës. Asokohe keni marrë përsipër rastin e Vlastimir Gjorgjevic, i cili u shpall fajtor për krimet e luftës në Kosovë. Kur thoni “drejtësi tranzicionale”, nënkuptoni vetëm ndjekje penale? Si e shihni implementimin e kësaj drejtësie në Kosovë dhe Shqipëri?

Jo, aspak. Drejtësia tranzicionale nënkupton gjithashtu edhe disa të drejta që u njihen familjes së viktimave. E kam fjalën për të drejtën për të ditur të vërtetën rreth viktimës, për t’u kompensuar, si dhe për të marrë garancinë për mospërsëritje. Drejtësia tranzicionale është një seri normash dhe praktikash që kombinohen me qëllim për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por edhe për të hedhur dritë drejt së ardhmes. Rasti i Kosovës është i veçantë. Mund të them garancia për mospërsëritje është marrë nga krijimi i institucioneve, por nga ana tjetër nuk janë bërë ndjekje penale. Vetëm kohët e fundit është dëgjuar për viktimat e dhunës seksuale….Por, mua më duket më problematike drejtësia tranzicionale në Shqipëri. Takimi i përvitshëm i drejtuesve të habeve, takimi i parë si drejtuese dhe themeluese e pikës në Tiranës. Nuk kam bërë një studim të mirëfilltë për të parë perceptimin e përgjithshëm, por më habit lloji i mbështetjes që i është ofruar personave të persekutuar gjatë komunizmit….

Ju aktualisht jepni pjesë e stafit akademik në Universitetin Publik të Prishtinës. Mirëpo, keni hasur pengesa të shumta për të qenë përballë auditoreve me studentë, kryesisht për shkak të nepotizmit.Si e përjetuat të gjithë këtë situatë të pakëndshme?

Unë e dija shumë mirë se çfarë më priste, jo më kot vendosa të mos stepesha. Doja të jepja një shembull. Është e habitshme në fakt, por kur futem në fakultet studentë të panjohur më afrohen dhe më thonë “faleminderit që je këtu”, duke më lënë të kuptoj se rastin tim e shohin si një fitore të drejtësisë ndaj nepotizmit. Kjo më jep shpresë, shumë shpresë për Kosovën….

A mund të vendosni në një peshore Fakultetin e Drejtësisë së Prishtinës dhe atë të Tiranës?

Në fakt, unë nuk kam fare kontakte me Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Kam aplikuar shumë vite më parë për pozicionin e asistentit, me master nga Oxfordi dhe konfirmimin për doktoraturë nga Gjeneva. Por, nuk u është dukur me interes që të më rekrutojnë…(Qesh)

Ju karakterizon një thjeshtësi e jashtëzakonshme. Mos ndoshta e shihni si çelës suksesi?

Mund të them se kam punuar me njerëz me poste shumë të larta, që më kanë mësuar se nuk ke përse të mundohesh të tregosh medoemos se kush je, kur në të vërtetë mjafton të flasë puna e bërë.

Çfarë dite ju pret pas kësaj interviste?

(Qesh)…Përpara se të vija drejt jush, zgjimi u shoqërua me të puthurën e vajzës sime të vogël, Una. Pasi u vendosëm përballë një puzzle, ashtu siç bëjmë përherë, iu drejtuam kopshtit. Pas këtij takimi, do të rend drejt saj…Pasditet i kaloj padyshim me familjen. Së bashku me tim shoq, përpiqemi t’i lexojmë Unës libra interesantë, ku personazhi i keq jomedoemos është i keq….


Etiketa: , ,