Opinione

Përsiatjet e mia gjatë ditëve në karantinë

Në tërë rruzullin tokësor, më se një vit, gjith

Në tërë rruzullin tokësor, më se një vit, gjithë njerëzimi jeton në kaos, ankth, izolim, depresion dhe histeri nga virusi Covid-19. Njerëzimi as në Luftën e Parë Botërore dhe as në të Dytën, nuk ka qenë i ndarë dhe i izoluar nga familjet, të dashurit, miqtë dhe shokët. Në shekullin 21, njerëzimi jeton në epokën e revolucionit informatik digjital, më të sofistikuar. Njerëzit me video internet online, viber, you tube, e-mail e mjete të tjera të rrjeteve sociale po vendosin kontakte virtuale mes tyre. Në mënyrë virtuale bisedojnë dhe qajnë hallet, por të gjitha këto nuk mund t’i zëvendësojnë takimet fizike, për të cilat ka nevojë. Me takimet fizike dhe me socializim, njerëzit fisnikërojnë shpirtrat e tyre, dëfrehen, çmallen, çlirohen nga adrenalina dhe stresi.

Sipas disa biologëve dhe epidemiologëve, kjo murtajë e kjo pandemi, do të marrë fund një ditë, por njerëzit do të dalin prej saj si të dehur, pa orientim dhe me defetizëm, të shqetësuar për të ardhmen e tyre, që mund të përcillet edhe me kriza të tjera. Filozofi i Greqisë së lashtë, Euripidi, shkruan se pas fatkeqësive që i përjeton njerëzimi, në fund, megjithatë, del matanë, për të vazhduar jetën. Njerëzimi mobilizohet dhe ushqen shpresa për një të ardhme më të mirë, ndonëse në periudhën pas pandemisë, ata përballen me faktin se i kanë humbur disa të afërm, miq e shokë.

* * *

Personalisht përjetova para gjashtë muajsh rezistimin ndaj virusit të rrezikshëm covid – 19, madje si një grip të lehtë, por qëndrova në karantinë për një kohë të caktuar. Përvoja është se kjo murtajë të kafshonte në mënyrë tinëzare, përngjet si një kasapi që vrapon pas deleve dhe kap për këmbe një të tillë. Ditët në karantinë më kaluan me libër në dorë. Në bibliotekë gjurmova vepra filozofike, sociologjike dhe letrare. Me këtë rast, më kanë magjepsur veprat e autorit të famshëm, Yuval Noah Harari: e para, “Një histori e shkurtër e njerëzimit”; e dyta, “Një histori e shkurtër e të nesërmes” dhe, e treta, “21 leksione për shekullin 21”.

Zhytur thellë në pasionin e këtij historiografi hebre, isha harlisur i tëri dhe kisha harruar se edhe sa ditë më kanë mbetur nga karantina. Por, këto përjetime janë individuale, sepse disa e kalojnë shumë më vështirë, sëmundja bëhet e mërzitshme sa që veten e përjeton si në qeli, me shumë përjetime, opresione, ankthe dhe agoni. Nëse mundimet janë më të lehta, do të ishte mirë që ditët të kalojnë me lexim apo me ndonjë pasion tjetër që ka. Është mirë që të lexohen vepra spiritualë nga sufistët, poezi nga Rumi Mevlana, novela nga Leo Tolstoi; nga filozofët romakë, Seneka, Mark Aureli; fraza të zgjedhura dhe intervista, dhe kështu do të kalojnë ditët e karantinës me ushqim shpirtëror.

PËRSHËNDETJA E FUNDIT

Jeta është shumë e shkurtër, është si një qiri që digjet, andaj s’duhet të ushqejmë urrejtje dhe të jemi të hidhëruar me familje, shokë e miq, thotë një stoik në Greqinë e lashtë, sepse, në të kundërtën, ditët bëhen si javë, javët bëhen si muaj, muajt bëhen vite dhe, në fund, largohesh nga jeta me zemër mbushur me urrejtje dhe me ego të egër e me shpirt të trazuar. Ka pasur raste që njerëzit kanë shkuar të hidhëruar me familjarë…Një nga librat me këto tematika është edhe “Përshëndetja e fundit” nga Jill Storr. Autori shkruan se edhe duke ecur vrap, nganjëherë të ndalemi në rrugë për t’i përshëndetur miqtë dhe shokët. Sepse, po qe se nuk ndalesh, mbase ky takim mund të jetë i fundit…përpiqu që në çdo takim të jesh gojë ëmbël dhe i buzëqeshur, nuk i dihet e nesërmja.

Shpesh ndodh që duke ecur rrugës me nxitim dhe të dekoncentruar nga jeta dinamike, takojmë miq e shokë dhe nuk ndalemi, së paku për një përshëndetje. Pas një jave apo muaji, dëgjojmë se mikun që s’e përshëndetëm kishte ndërruar jetë. Pikërisht kjo pandemi ka lënë shumë miq e të afërm pa u përshëndetur. Një gjë të tillë përjetova në lëkurën time dhe kjo gjë më është bërë peng dhe do të mbetet për gjithë jetën. Jam larguar që herët nga vendlindja, nga toka, fisi dhe gjaku. Kur kthehem për pushime, mezi pres t’i takoj njerëzit e mi. Kështu ishte edhe rasti me një shok të rinisë, i klasës, me të cilin beftë u gjetëm sy më sy, u përshëndetëm, por as nuk u dëgjuam mirë nga maskat që na kishin mbërthyer fytyrën. Desha që të shkonim për kafe dhe të shkëmbenim pak fjalë, por kjo nuk ndodhi. Sapo arrita në Zvicër, mora lajmin se kishte ndërruar jetë nga kjo murtajë e keqe shoku im nga rinia dhe, njëherësh, shoku i bankës.

Humanistja dhe pacifistja, Nënë Tereza, ka një frazë të shkëlqyer: “Nuk ka vepra të mëdha, ka vepra të vogla…Ka vepra të vogla, por të bëra me dashuri të madhe”. Vepra e vogël ka më shumë vlera, bie fjala, kur takon dhe përshëndet një fqinj, një të varfër, një me handikap. Legjenda e boksit, humanisti e filantropi Muhamed Ali, i cili ishte një ndër ta që kishte shkruar shumë libra, rrëfen se kishte pasur në Nju-Jork një intervistë në një studio. Atëherë kishte marrë një taksi dhe pasi kishte zbritur, i kishte thënë që të lejë të punojë taksimetri, pavarësisht se sa kohë do të mbetej brenda dhe duhej ta priste për ta kthyer. Ai i kishte thënë se do ta priste sa të dojë. Por Muhamed Ali kishte kërkuar prej tij që edhe ai të hynte në studio, për çka ky ishte në siklet të madh. Taksisti kishte qenë një zezak dhe me të hyrë në studio, ishte mbushur me lot, por kur e kishin pyetur se pse po përlotet, ai ishte përgjigjur se deri në atë moment nuk e ka ditur se edhe ai paska një vlerë në jetë.

KUSH DO TË QAJË KUR TË VDESËSH

Herën e dytë, pas mbarimit të pushimeve në vendlindje, si zakonisht, me kthimin në Zvicër, hyra në karantinën e obligueshme, ndonëse nuk isha i infektuar nga virusi covid – 19. Ditët në karantinë i kalova duke e shkruar këtë ditar. Në mëngjes pak relaksim me ushtrime, pastaj kafja dhe kafjalli. Në radhë vinte libri. Ky regjim i përditshëm, më jepte energji dhe kurajë, duke kaluar i mbyllur pa ndonjë stres dhe monotoni. Nuk ndjeva mungesën e miqve dhe shokëve. Duke lexuar, në mënyrë virtuale isha në shoqërinë e personazheve nga libri, me ngjarje dhe drama. Më ka lënë përshtypje libri “Murgu që shiti ferarin e tij” nga shkrimtari i famshëm Robin Sharma, si dhe vëllimin e dytë: “Kush do të qajë kur të vdesësh”. Këta dy libra i gjeta rastësisht nga kushëriri im, Naser Rushani, i thash: “Po t’i vjedh këta libra, pasi që nuk kam kohë që të shkojë deri në librari. Kushëriri pa u menduar më tha që t’i pranoj si dhuratë. Në veprën e dytë, Robin Sharma, në një pasazh shkruan: “Babai im më tha kur isha i ri se kur isha lindur, qave si gjithë foshnjat e tjerë, ndërsa bota u gëzua. Jetoje jetën tënde si një pishtar i ndritur, jetoje jetën asisoj që kur të vdesësh le të qajë bota dhe ti të gëzohesh. Pastaj, ky eseist i famshëm shkruan: “Dua të jem mirë i shfrytëzuar, i shtrydhur, dua të punoj tërë jetën, të lë vepra të mira, sepse sa më shumë që punoj aq më shumë jetoj, ndërsa vdekja do të jetë lumturia e fundit.

Sipas filozofit kinez Konfuçi, njeriu për të pasur një jetë të begatë e dinjitoze, duhet të bëjë tre gjëra: një, të lë trashëgimtarë; dy, të mbjellë një pemë dhe; tre, të shkruajë një libër. “Unë i kam plotësuar që të tre gjërat: kam lënë pasardhës, kam mbjellë pemë dhe kam shkruar një libër. Sa herë që e shikoj pemën, ajo po rritej dhe degëzohej e filloi të japë fruta, ndërsa unë fillova të mplakem”.