Kosovë

Përparim Rama i premton gazetarit Vehbi Kajtazi se do ta zgjidhë problemin e kanalizimit në lagjet e Prishtinës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, po thotë se një ndër prioritetet e tij është zgjidhja e problemit të kanalizimit në lagjet Mati dhe Kalabria

Rama ka shkruar në Facebook se këtë do ta shpalosë në planin e tij për Prishtinën, derisa thotë se zotohet që kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.

“I dashur Vehbi, të dashur banorë të lagjeve Mati dhe Kalabria, unë ju garantoj se zgjidhja e problemit tuaj me kanalizimin e hapur do të jetë një ndër prioritetet e mia kryesore, dhe këtë do ta shihni gjatë shpalosjes së planit tim për Prishtinën. Kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt. Zotohem për këtë!”, ka shkruar Rama.

E këto deklarata të Ramës vijnë pasi gazetari Vehbi Kajtazi, ka deklaruar se kanalizimi është i hapur

Madje, Kajtazi ka deklaruar se do të ia japë votën kandidatit i cili zotohet se do ta mbyllë kanalizimin për një periudhë të shkurtë kohore.

“Unë jetoj në një lagje, ku përpara hyrjes së banesës është kanalizimi dhe tash verës nuk mundemi me i hapë dritaret. Prej Matiçani e poshtë, e deri në Fushë Kosovë a nuk e di ku përfundon, deri të derdhet në Sitnicë, është i hapur, është jeta e padurueshme. Ai problem nuk është zgjidhur kurrë, as në tetë vjet të qeverisjes së Shpend Ahmetit. Natyrisht se ata njerëz që jetojnë aty, të vetmen shpresë e kanë me u mbyllë ai kanalizim, edhe unë e kam atë shpresë, dhe kushdo që zotohet që për një periudhë sa më të shkurtë ka me e mbyllë atë kanalizim, publikisht deklaroj se ia jap votën, kaq muj me bo”, ka deklaruar Kajtazi në “Debat Plus”.