Bota

Përleshje mes policisë e protestuesve në Portland në ditën e inaugurimit të Bidenit

Protestuesit amerikanë u përleshën me policinë në Portland të Shteteve të Bashkuara gjatë protestave për inaugurimin e presidentit Joe Biden, raportuan mediet lokale.

Pas masave të rrepta të sigurisë, protestat me protuestues të armatosur nuk ndodhën, por një grup i njerëzve doli në rrugë për të kërkuar ndryshim më të shpejtë të politikave nga Bideni, shkruan Anadolu

Një grumbull prej rreth 100 personave u tubuan në parkun “Elizabeth Caruthers” në Portland rreth orës 9 të mbrëmjes sipas kohës lokale të mërkurën, duke ecur drejt një ndërtese të agjencisë për imigrantë dhe dogana.

Grupi brohoriti slogane kundër politikave amerikane të ndalimit të fëmijëve imigrantë, ndërsa disa individë shkruan fjalët “ribashkojini familjet tani” në murin e një ndërtese federale.

Policia e shpalli këtë protestë tubim të paligjshëm dhe i njoftoi protestuesit se ata që futen në pronën federale do të arrestohen. Më pas, policët përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë grupin e protestuesve.

Zyrtari policor, Kevin Allen, tha se disa individë janë parë me armë elektronike, mburoja dhe gurë në duar.

Një grup tjetër prej rreth 200 protestuesve marshoi drejt selisë qendrore të Partisë Demokratike të Oregonit, duke i thyer xhamat e ndërtesës.