Opinione

Përjashtojeni nga letërsia, Konicën!

Ja jepni shoqërisë tonë civile dhe mediave, një

Ja jepni shoqërisë tonë civile dhe mediave, një fjali të vetme dhe ato bëjnë gati turrën e druve. Në rregull, nuk vlen për të gjithë! Por, legjitimimi i shndërrimit të shoqërisë civile dhe mediave në turmë dhe nxitës turmash, delegjitimon çdo kauzë. Por ( sërish por) po më duket se kjo hyrje po tingëllon tepër serioze kur kemi parasysh joseriozitetin e situatës.

“O tempora, o mores” ! “O shoqëri e dashur civile. O media e dashur”. Kurqysh nuk po arrij me e kuptue se në cilën pjesë të komentit problematik, “të Faik Konicës” për deputetët, ata e kanë parë personin e Presidentes së vendit? Digjeni Faik Konicën! Përjashtojeni nga letërsia.

Gjithsesi, diçka mund të garantoj edhe unë në këtë situatë tragjikomike. Ju garantoj për të vërtetën objektive se Faik Konica nuk e njihte Presidenten e Kosovës dhe për të vërtetën krejtësisht subjektive se komenti i tij nuk ka asgjë të përbashkët me personin e saj. Këtë e them, duke e lënë të hapur mundësinë që deputeti i PDK vërtetë mund të ketë dashur të zbrazë pak mllef publik pas dështimit të kauzës së tyre për “president konsesual”. Mllefin mund të e ketë zbrazur por përpjekja e tij do të dilte krejtësisht e dështuar sikur shoqëria civile e mbetur pa kauzë dhe në mjegull, të mos dallonte portretin e presidentes në këtë përshkrim aspak adekuat të para një shekulli. E ku ka fshatare sot në politikë, aq më tepër faqekuqe?

Pesha e presidentes së Kosovës është më e madhe se ajo që duket. Po flas për peshën politike të saj. Ajo u fuqizua kaq shumë politikisht me kurajon që të mbrojë premtimet e saj për ndryshime, dhënë elektoratit të saj në zgjedhjet e vitit 2019, edhe pse kjo prekte mes tjerash edhe figura me peshë në partinë e saj. Kur u mat pesha e secilit prej tyre, ajo peshoi politikisht më shumë se krejt ish partia e saj.

Për këtë, udhëheqja e asaj kohe e kësaj partie, e dënuan për guximin e saj, të ruaj marrëveshjen me LVV. Ajo guxoi dhe shkoi përpara dhe sërish fitoi. Kështu e gjunjëzoi ish partinë e saj, madje e detyroi të japë dorëheqje udhëheqjen e saj të lodhur dhe të korruptuar dhe solli në fuqi një gjeneratë tjetër drejtuesish me të cilët ariti të komunikojë sukseshëm. Pra, ka peshë.

Pesha që na intereson më së shumti si qytetar është ajo politike, morale, intelektuale e saj. Por mediat dhe shoqëria civile janë ngritur në këmbë për tjetër peshë. Kjo më tepër duket si përpjekje për të u matur në tjetër teren. Kjo duket se ka të bëjë më shumë me rolin e paqartë të shumë organizatave, pjestarëve të shoqërisë civile dhe disa mediave që kanë mbetur pa busollë në rrethana të reja dhe këtë temë po e shohin si mundësi të sigurojnë donacione apo buxhet. Por ajo që është e dukshme në këtë rastë është se po u mungon kauza.

Një postim kot, që le shumë për të spekuluar por gjithësesi jo mjaft specifik për të u bërë kauzë, i ngriti në këmbë ata, i bëri të kërkojnë largimin nga puna të një profesori universiteti për shkak të një postimi në profilin e tij. Nëse e pranojmë këtë logjikë duhet të pranojmë këtu e tutje disa pjestarë të shoqërisë civile dhe disa media si autoritetin përfundimtar lidhur me vlerat në këtë shoqëri dhe lidhur me krimin. Nuk na duhen gjykatat për shpifje, ofendim ja tek e kemi shoqërinë civile duke linquar. Bëjeni gati turrën e druve. Këtu e tutje para se të postosh diçka në profilin tëndë konsulto shoqërinë civile. Ata janë, të vetmandatuar, dhe të vetdeklaruar si kompetent, për të thënë fjalën e fundit.

Por të kthehemi te pesha. Pesha është kategori që matet. Kur flasim për njerëzit, pesha e tyre matet, por edhe vlerësohet. Pesha politike për shembull, nuk varet nga graviteti por nga elektorati. Kështu, Presidentja e Kosovës sot është personi më i fuqishëm politikisht në këtë vend edhe pse shumëkush mund të mendoj ndryshe.

Kur jemi te matjet, mund të matet dhe vlerësohet. Mund të matet dhe vlerësohet edhe pesha e fjalës, edhe pesha e një komenti publik. Përderisa matja është objektive, vlerësimi është subjektiv. Por duhet pasur kujdes. Inkuizicioni dikurë e kishte një parim.Thoshin “më jepni një fjali të vetme dhe secilin e nxjerrim në turrën e druve”. Zhurma e masës pastaj e “mbivotonte” çdo të drejtë të individit dhe mundësi çdo mundësi për mbrojtje.

Kujt i duhet kjo zhurmë dhe ky linqim sot? Kush po përpiqet që gjithçka të e shndërroj në personale dhe iracionale?

Pra, e kuptuam të gjithë për çka po flasim? E si e kuptuat? E njihte Faik Konica presidenten e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës? Ai që gjen diçka nga personi i presidnetes në këtë përshkrim vërtetë dëshmon se nuk është diçka në rregull me përceptimin e tij. Ne mund të paragjykojmë, por nuk mund të kërkojmë fushatë liqnimi duke u nisur nga kjo.

Thirrjet për linq dhe censurë edhe në profilet private është një mënyrë për të cilën unë besoj se nuk i mbron vlerat për të cilat angazhohet presidentja në deklarimet e saj. Mospajtimet apo mospëlqimet e saj me PDK-në nuk janë personale dhe nxjerrja e konfliktit në këtë teren është angazhim krejtësisht joserioz dhe i dëmshëm. Gjithë angazhimin e deritashëm dhe të ardhshëm të presidentes do e nxirrte në teren personal. Shoqëria civile duhet të nxis dhe inicoj kauza brenda sistemit dhe ligjit. Nëse vepron ndryshe ajo shndërrohet në turmë.

E dashur shoqëri civile. E dashur media. Mos e bëni gati turrën e druve. Në këtë rast madje nuk e keni as viktimën, as heroin e duhur. Thjesht nuk ka kauzë! Mos e digjni në turrën e druve, Konicën! Përjashtojeni nga letërsia, mjafton.