Kult

Përfundon ‘Pen for Culture’, ekspozita që bëri bashkimin e tre fushave artistike

Medina Pasoma

Muret e KultPlus Caf

Medina Pasoma

Reklamo bizensin tuaj ketu

Muret e KultPlus Caffe Gallery mbrëmë u mbushën me frymëzimet e të rinjve në tri fusha të ndryshme të artit, duke bërë që në këtë ambient të jehonte eleganca e krijimit. Fotografi urbanistike që detajonin veçantitë arkitektonike të Prishtinës, portretet të cilat shpalosnin thellësinë e individëve dhe peizazhe të kombinuara me llojllojshmërinë e ngjyrave vjeshtore mbizotëruan në ekspozitën e fotografisë nga ProPlus, teksa kjo shënoi edhe fundin fundin e tre punëtorive ku përfshiheshin ese, piktura dhe fotografi të projektit ‘’Pen For Culture’’, shkruan KultPlus.

Në ekspozitën që mbrëmë bëri bashkim e tre fushave artistike, sytë e të pranishmëve ndërronin vend nga fotografitë profesionale që kishin ndalur momentin, te eseja e cila nëpërmjet rreshtave përçonte ndjenja dhe në fund ndesheshin me ngjyrat e bukura të pikturave.

ProPlus kishte arritur suksesshëm t’i bëj bashkë tre frymëzime për të rinjtë, duke e bërë dikë t’i fliste botës nëpërmjet fjalës, dikë ta pikturonte botën që shihte dhe dikë tjetër ta jetësonte një pamje të botës gjerë në pafundësi nëpërmjet fotografisë. Hapja e ekspozitës së fotografisë mundësoj edhe kurorëzimin e mbarimit të projektit ‘’Pen For Culture’’ të mbështetur nga Ambasada Amerikane, në të cilin u organizua punëtoria për ese me profesionisten Vjosa Sadriu Hamiti, për pikturë me artisten Zake Prevlukaj dhe ajo për fotografi me mjeshtrin Hazir Reka.

Në ceremoninë hapëse të ekspozitës së fotografisë ishin të pranishëm të rinjtë e këtyre tre punëtorive, artistë, mentorët profesionistë dhe familjarë. Fjalën hyrëse e morri drejtoresha e organizatës ‘’ProPlus’’, Ardianë Pajaziti e cila tregoj që përmbyllja e këtij projekti parashihej të ndodhte më parë, mirëpo pandemia e bëri që të shtyhej.

Tutje Pajaziti çmoi lartë kontributin e profesionistëve Sadriu-Hamiti, Prelvukaj dhe Reka, duke thënë se të pjesëmarrësit e punëtorisë kishin çfarë të marrin nga ta.

‘’Unë po besoj që ka qenë një përvojë shumë e mirë për të rinjtë. Ne i kemi zgjedhur këta tre mentorë për shkak se janë emra shumë të mëdhenj. Uroj që këto tre ditë që i keni pasur veç e veç të ju shërbejnë në të ardhmen në profesione të ndryshme’’, tha Pajaziti teksa fliste për punëtoritë tre ditore.

Pajaziti vlerësoi se të rinjtë kishin fatin e bashkëpunimit me këta tre personalitete, e që dituria e fituar nga këto punëtori do t’iu shërbej në fushat përkatëse të esesë, pikturës dhe fotografisë.

‘’Ky është një ambient i vogël por qe ka e ka bërë një ndërlidhje aq të mirë mes fotografisë, piktures dhe esesë. Do të thotë është produkt i rrugëtimit tonë në kuadër të pen for culture por qe rezultati i kesaj pune është brenda ketyre mureve’’, tha për fund drejtoresha e ProPlus.

Në anën tjetër Hazir Reka si shoqërues i të rinjve në punëtorinë e fotografisë u shpreh se ndjehet tejet mirë me fotografitë që kanë nxjerr të rinjtë përgjatë periudhës tre ditore dhe se kjo do të jetë një nismë e mirë për ta.

‘’Edhe atë ditë kur u takuam së bashku unë ju thashë që në moshën tuaj unë kam filluar të merrem me fotografi, diku në moshën 17-18 vjeçare, ndërkaq atë kohë mua nuk më ndihmoi askush’’, u shpreh Reka, i cili beson se punëtoria për të rinjtë ishte një shansë e mirë.

Tutje, Reka shprehu interesimin që të jetë përherë në ndihmë ndaj këtyre të rinjve dhe diturinë që e kanë marrë në punëtorinë e ProPlusit ta zgjerojnë edhe më shumë.

Udhërrëfyese përmes fjalës në punëtorinë për ese kishte qenë Vjosa Sadriu Hamiti, e cila beson se këta të rinj që kanë marrë pjesë në punëtori kanë potencial të mjaftueshëm për të shkëlqyer në gjuhë dhe letërsi.

‘’Unë jam ndarë shumë e kënaqur me esetë që i keni shkruajt, sidomos e vecantë ka qenë menyra e te menduarit dhe mënyra kritike e temave që i keni marrë vetë’’, vlerësoj Sadriu Hamiti.

Tutje ajo shtoi se është tejet e gëzuar për sukseset e punëtorisë së mbajtur me të rinjtë e talentuar në shkrim. Hapja përveç që u shoqërua me lavdata rreth mënyrës së organizimit, ajo kishte edhe karakter mbështetës për të rinjtë. Pjesëmarrësit e tre punëtorive morrën mirënjohje për sukseset e tyre përgjatë kësaj periudhe të bashkëpunimit.

Vlerë Mehmeti sonte pati rastin që fotografitë që i kishte shkrepur t’i shihte të varura në muret e KultPlus Caffe Gallery dhe të merrte komplimente nga të tjerët për mënyrën e shkrepjes. Ajo thekson se punëtoria mbetet një kënaqësi për të, teksa shton se secili ka mësuar diçka më shumë për artin e të fotografuarit.

‘’Ishte poashtu ndjenjë e veçantë t’i shohësh fotografitë që i kemi shkrepur të varura në mur. Sot ishte një aheng shoqërues, patëm rastin të njoftohemi edhe me ekipet paraprake të esesë dhe pikturës dhe t’i shohim edhe krijimtarinë e tyre’’, shprehet Mehmeti.

Piktura e Aulona Zullufit e cila qyshmoti është prezente në KultPlus Caffe Gallery sonte u takua me krijimtaritë artisitike të të tjerëve. Ajo nëpërmjet pikturës ka shprehur dy zhytje krejtësisht të ndryshme, njërën në pafundësinë e detit dhe tjetrin në atë teknologjike. Këtë e ka bërë nëpërmjet simbolit të markës ‘’apple’’ në anije, ndërkaq në guri nga anash vërehet fytyra e njeriut. Rrjedhimit zhytja në këtë teknologjike, po e ngurtëson njeriun sipas Zullufit.

Aulona çmonte lart punëtorinë dhe mentoren përgjatë tre ditëshit në pikturë, Zake Prevlukaj, për të cilën shprehet se i ka mësuar e frymëzuar pjesëmarrësit. Ndërkaq një ndjenjë të mirë i ka falur edhe bashkimi i krijimeve artistike të ndryshme.

‘’Ka qenë një ndjesi shumë e mirë qe i kanë bashkuar tre artet në një vend. Sa i përket punëtorisë prej secilit kam mësuar të reja, madje edhe prej artistëve pjesëmarrës të cilët ishin në mosha të ndryshme por kishin shumë talent, dhe të japnin energji pozitive e frymëzim për të vazhduar tutje’’, thotë Aulona Zullufi.

Në anën tjetër në punëtorinë për ese, Lume Selmani përdori fjalën për të përshkruar atë çfarë ndjente dhe mendonte. Qysh e vogël ajo e kishte kapur lapsin mirëpo, punëtoria e ka shtyer që ta duaj edhe më shumë të shkruarit.

‘’Kjo punëtori m’i ka thelluar njohuritë edhe më shumë për të shkruarit dhe për esenë sepse kemi marrë informacione që më parë nuk i kemi ditur’’, tha Lumja teksa çmoj kontributin e mentores për këtë.

Madje ajo përmend se me pjesëmarrësit e punëtorisë shpesh i flasin kujtimet që kanë krijuar përgjatë kohës sa po gjenin frymëzim letrar së bashku dhe mezi kishin pritur për ngjarjen finale, të cilën e vlerson shumë.

‘’Ështe një ndjesi shumë e mirë sepse është një llojllojshmëri e tri arteve, ese, pikturë dhe forografi. Sa shkoj eseja me pikturen, aq shkoj fotografia. Me vie mire qe i pamë prape tri grupet’’, shton Selmani duke shpresuar që ProPlus të organizoj edhe tjera ngjarje të tilla.

Këto tre punëtori përfshinin esenë, pikturën dhe fotografinë me mentorimin profesionist të Vjosa Sadriu Hamitit, Zake Prevlukajt dhe Hazir Rekës. Këto organizime të ProPlusit me mbështetjen e Ambasadës Amerikane u shënuan me nga një ekspozitë për gjithësecilën, e në fund duke përfunduar në një të përbashkët, kështu duke përmbyllur projektin ‘’Pen for Culture’’. / KultPlus.com

The post Përfundon ‘Pen for Culture’, ekspozita që bëri bashkimin e tre fushave artistike appeared first on KultPlus.