Opinione

Përbërja e qeverisë së re të Maqedonisë Veriore një hap i guximshëm politik që duhet përshëndetur

(Më tepër se gjysmën e ministrive në Qeverinë a

(Më tepër se gjysmën e ministrive në Qeverinë aktuale të Maqedonisë Veriore do t’i udhëheqin kaudro shqiptarë, 8 ministra nga gjithsej 16 ministri, 2 zëvendëskryeministra nga gjithsej 4 sa ka kjo Qeveri dhe një ministër pa portofol.)

Abdulla Mehmeti

Jeta praktike i vjetron shpejtë ligjet diskriminuese, kushtetutat e shteteve, marrëveshjet e padrejta dhe praktikat e mëhershme të pushteteve jodemokratike në shtetet ballkanike.

Sipas Kushtetutës aktuale të Maqedonisë Veriore dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit, shqiptarët në këtë shtet trajtohen si pakicë kombëtare, madje si qytetarë prej 20%, banorë pa emër dhe identitet, të cilët e flasin një gjuhë të ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonase.

Prandaj, hapi politik për formimin e Qeverisë së re të këtij shteti me një përbërje krejt ndryshe, me pjesëmarrje të kuadrove shqiptarë jashtë këtyre kornizave shoviniste e raciste të ligjeve dhe kushtetutës sigurisht që duhet të përshëndetet.

Sipas këtyre kornizave kushtetuese, shqiptarë nuk kanë të drejtë në këtë shtet të arsimohen në nivel universitar në gjuhën amtare, por në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm, edhe përkundër realitetit ndryshe, me ekzistimin e 3 universiteteve me mësim në gjuhën shqipe në këtë shtet, dy prej të cilëve kanë status të universiteteve shtetërorë!

Prandaj, secili ndryshim pozitiv në këtë shtet, çdo hap i mbarë në politikat e tij, duhet të përshëndetet padyshim, duke shpresuar edhe në hapa të tjerë në të ardhmen.
Atij që të thotë rrofsh, mos i thuaj plaç! Mësohuni t’i vlerësoni gjërat e mira!

I.

Më tepër se gjysmën e ministrive të Qeverisë aktuale të Maqedonisë Veriore do t’i udhëheqin kaudro shqiptarë, 8 ministra nga gjithsej 16 ministri, 2 zëvendëskryeministra nga gjithsej 4 sa ka kjo Qeveri dhe një ministër pa portofol.

Barazia e plotë e popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore i garanton të ardhme të sigurt këtij shteti, perspektivë evropiane dhe euroatlantike, pavarësisht nga defektet historike dhe gabimet e trashëguara nga e kaluara, si edhe pengesat e kontestet me shtetet fqinje, që nga shpallja e pavarësisë së shtetit të Maqedonisë Veriore më 1991 deri më sot.

Këtë siç duket e ka kuptuar së fundmi pushteti dhe politika e këtij vendi. Një hap në këtë drejtim është edhe përbërja e qeverisë së re të Maqedonisë Veriore, e udhëhequr nga kryministri i ri, Dimitar Kovaçevski, e cila dje e mori miratimin edhe nga Parlamanti i shtetit, të cilën do ta drejtojnë në mandatin e ardhshëm 11 kuadro shqiptarë dhe 10 kuadro joshqiptarë (maqedonas dhe të tjerë).

II.

Në përbërjen e kësaj Qeverie, nga 4 zëvendëskryeministra, 2 prej tyre janë shqiptarë.

Nga 16 ministri, sa ka Qeveria e Maqedonisë Veriore, 8 prej këtyre ministrive do të drejtohen nga koalicioni i partive të udhëhequra nga LSDM-ja (7 ministri LSDM + 1 ministri PLD), ndërsa 8 ministri të tjera do të drejtohen nga kuadrot e partive të shqiptarëve (6 ministri nga BDI dhe 2 ministri nga partia Alternativa + 1 ministër pa portofol për çështje të Diasporës).

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë Veriore pas debatit dyditor e zgjodhi Qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Qeveria e re u votua me 62 vota “për”, 46 “kundër” dhe asnjë votë abstenimi.

Në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re morën pjesë 108 deputetë nga gjithsej 120 deputetë sa ka Parlamenti i Maqedonisë Veriore.

Kryeministër është zgjedhur lideri i ri i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski.
Qeveria e re ka 10 anëtarë nga LSDM, 7 ministra dhe 3 zëvendëskryeministra; 6 anëtarë nga BDI, 6 ministra dhe 1 zëvendëskryeministër, 3 nga partia Alternativa dhe 1 nga Partia Liberal Demokratike (LDP).

III.

Kjo Qeveri do të ketë 4 zëvendëskryeministra, edhe atë:

  1. Artan Grubi (BDI), zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve.
  2. Bojan Mariçiq (LSDM), zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
  3. Sllavica Grkovska (LSDM), zëvendëskryeministre për Luftë Kundër Korrupsionit.
  4. Fatmir Bytyqi (LSDM), zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

Ministrat në Qeverinë aktuale janë:

  1. Sllavjanka Petrovska (LSDM), Ministria e Mbrojtjes;
  2. Oliver Spasovski (LSDM), Ministria e Punëve të Brendshme;
  3. Nikolla Tupançevski (LSDM), Ministëria e Drejtësisë;
  4. Jovana Trençevska (LSDM), Ministria e Punës dhe Politikës Sociale;
  5. Bllagoj Boçvarski, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve;
  6. Bisera Kostadinovska Stojçevska (LSDM), Ministria e Kulturës;
  7. Ljupço Nikollovski (LSDM), Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave;
  8. Bujar Osmani (BDI), Ministëria e Punëve të Jashtme;
  9. Fatmir Besimi (BDI), Ministria e Financave;
  10. Kreshnik Bekteshi (BDI), Ministria e Ekonomisë;
  11. Artan Grubi (BDI), Ministëria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve.
  12. Jeton Shaqiri (BDI), Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
  13. Naser Nuredini (BDI), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
  14. Bekim Sali (Alternativa), Ministria e Shëndetësisë;
  15. Admirim Aliti (Alternativa), Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës;
  16. Goran Milevski (LDP), Ministëria e Vetëqeverisjes Lokale;
    dhe
  17. Xhemail Çupi (Alternativa), ministër pa portofol për Diasporën.

IV.

Sipas procedurave të parapara, për t’u zgjedhur qeveria nga Kuvendi duhet të votojnë shumica e deputetëve, së paku 61 prej tyre nga gjithsej 120 deputetë sa ka Parlamenti i Maqedonisë Veriore.

Më 23 dhjetor 2021, Kuvendi i Maqedonisë Veriore e konfirmoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, pas suksesit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2021.

Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ia dha mandatin për formimin e qeverisë së re, liderit të sapozgjedhur të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, pas dorëheqjes së liderit të mëparshëm të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ka qenë kryeministër nga viti 2017.