Opinione

Për Vjosën pa kujtesë, për Donikën që s’kupton dhe për dy burra banalë

Nuk kam dashur të shkruaj për luftën.

Nuk kam dashur të shkruaj për luftën. Ka kohë që e kam kuptuar që një pjesë e shoqërisë kosovare dëshiron ta harrojë. Disa të tjerë dëshirojnë ta përdorin si madhërim të pakufishëm. Dhe një pjesë tjetër janë barbarë në diskurs – të gatshëm për ta vrarë edhe lirinë që e ka sjellur lufta jonë dhe UÇK-ja.

Pushteti i Vjosës dhe Albinit po krijon fuqi për të ndaluar dhe jo për të krijuar gjëra të reja. Po vret kujtesën për lirinë dhe po viktimizohet, duke shkuar tek secili varr, pa ndryshuar gjë nga fjalori.

Lufta për liri, si momenti më sublim i historisë së Kosovës, po trajtohet edhe nga banalistë me gjuhë barbare. Sidomos nga dy burra të veshur me pushtet të grave të tyre.

Shija e qytetërimit, diskursit civil dhe liria brenda saj nuk kanë asnjë efekt tek ta. Diskursi i tyre është vdekjeprurës për lirinë dhe qytetarinë. Është mbytje e shijes së lirisë. Prandaj duhen ndaluar.

Vjosa, Donika dhe dy burra banalë – ai i Vjosës dhe tjetri i Albulenës – janë banaliteti i së keqes. Ata nuk kuptojnë. Përkundër se mund ta dinë çfarë ka ndodhur. Madje njëri prej këtyre burrave ka qenë vetë ushtarë i UÇK-së, prandaj harresa dhe marrosja e tij pas politikës ditore, është më shumë shpjeguese sesa injoranca a mospërjetimi i luftës.

Pak rreshta për këtë katërshe. Kaq meritojnë. Sepse, Ai, i madhërishmi, Albini, nuk është temë. Ai është njeri me halle, të cilat e ka për detyrë t’i zgjidhë.

Në këngën e parafundit të Iliadës, në duelin e famshëm Akil-Hektor, ky i fundit i lutet të mos ia gjymtojë trupin para vdekjes. Prerja e trupit dhe e kujtesës që përfaqëson ai në civilizimin grek, që mbeti rregull për çdo civilizim, si përçues mes botës së gjallë dhe të vdekur, është anti-civilizuese. Ju po e bëni copë trupin e UÇK-së.

I gjithë drejtpeshimi njerëzor i botës, kulturës, lirisë – kujtesa, morali dhe vetë historia do të merrnin fund në mungesë të respektit për lirinë dhe ata që e bënë kapërcimin nga robërimi në liri.

Fitorja me 52% të votave, për çdo respekt për secilin që arrin në këtë pikë, zakonisht krijon dy efekte: njëri është efekti i vetëkënaqësisë dhe tjetri është ai i nevojës për të përmbysur sisteme.

Vjosa, Donika dhe dy burrat banalë dëshirojnë ta përmbysin rrëfimin për lirinë.

Por, ai është i papërmbysshëm. Dhe në atë mision nuk u ndihmojnë as fjalitë që ua shkruajnë të tjerët.

Të gjitha këto rrëfime johistorike, pa gjurmë identike, janë banaliteti i së keqes.

Prandaj, për dy burrat banalë dhe Vjosën e Donikën, duhet një rikujtim historie. Dhe për Glaukun e heshtur, për të cilin rrugës e mësova që është butaku më i dijshëm e VV-së. Por, fatkeqësia e dijes së tij është mungesa e karakterit. Është e kotë. S’i hyn në punë askujt. As atij.

Vjosë, a e di kush janë UÇK-ja dhe LDK-ja?

Po shkruaj thjesht, që ta kuptosh më lehtë.

Në historinë e jetëve njerëzore ka momente kur vetë historia të këshillon se për shkak të pafuqisë është e pamundur përmbysja e një pushteti. Duke parë historinë e udhëhequr nga LDK-ja, shqiptarët ishin në ballë të një pyetje monumentale: A duhet të vazhdojmë të jetojmë duke duruar diskriminimin, dhunën dhe poshtërimin, apo duhej ndërmarrë diçka për ta përmbysur atë gjendje?

Përgjigja ishte e vështirë. Gjendja ishte bërë e padurueshme. Dhe ndryshimi dukej i pamundur.

Mjaftonin situata ditore, si dalja në rrugë, që ta kuptoje se çdo ndërmarrje për ta sfiduar sistemin shtypës serb do të kishte përfundim tragjik.

Edhe historia nuk jepte shumë shpresa; për të mos thënë që LDK-ja dhe pushteti i saj moral na këshillonin që ndryshimi është i pamundur.

Kishte përfunduar keq përpjekja e kaçakëve në Luftërat Ballkanike dhe po aq dëshpërueshëm kishte marrë fund edhe ajo gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë periudhës komuniste robëria dhe dhuna ishin normë jetese.

Vjosë, Donikë dhe ju dy burrat banalë – atëbotë kishte humbur dallimi mes lirisë dhe robërisë. Prandaj, shumë pak prej nesh e donin lirinë me UÇK-në.

Ata që s’e donin edhe sot e shohin luftën me përbuzje. Sepse e donin lirinë e robërisë (aq sa mund të quhet liri). Donin të ecnin me patericat që ua lejonte Sllobodan Millosheviqi.

Ju s’e keni idenë si është të jetosh me dinjitet në paliri. Ti Vjosë je Presidente në emër të UÇK-së. Pa luftën e saj tani mund të ishte duke printuar letra në një zyrë autonomie të Kosovës, apo duke punuar siç punon mërgata, diku në ndonjë qytet të Evropës.

Derisa politikanët e Prishtinës po kalkulonin si tregtarë të zakonshëm rezultatin e secilit veprim, plani gjenocidal serb po shkonte drejt realizimit. Shqiptarët po shkombëtarizoheshin. Ata që nuk pranonin, shpërnguleshin.

Për individin kjo është tragjike. Për popujt, fatale.

Në atë gjendje të pashpresë, kur dija nuk vlente më, duhej një çmenduri për ta parandaluar një tragjedi, shkruante një mik i imi, që vazhdonte të më thoshte: “UÇK-ja ishte një grup i ‘të çmendurve’, të cilët nuk kishin as minimumin e aftësisë për të llogaritur pasoja, nuk kuptonin asgjë nga formulat juridike, por e kishin kuptuar që ndryshimi brenda letargjisë së krijuar do një veprim praktik dhe bashkë me këtë kishin arritur ta ruanin edhe shijen e lirisë”.

Gjërat po ndryshonin. Iluzionet e një Serbie me shqiptarët brenda po shembeshin. Dhe shija e krenarisë po kthehej ngadalë, njëlloj siç e merr veten i sëmuri pas një sëmundje të gjatë dhe të pashpresë.

Por, entuziazmit të krijuar më 28 nëntor 1997, kur për herë të parë u prezantuar para shqiptarëve UÇK-ja, organizatë që bartte mbi supet e veta premtimin për çlirimin e shqiptarëve, i duheshin aksione praktike për të provuar se nuk ka asgjë të pamundur. Nuk vonoi shumë, në shkurt të vitit 1998, Çirezi dhe Likoshani – aksionet e para të UÇK-së, filluan një rrugëtim sa të çmendur, aq edhe të nevojshëm. Për të ardhur te Prekazi heroik dhe te njeriu që do e sfidonte frikën me vdekje – Adem Jashari.

Tanimë nuk kishte kthim prapa. Po shkëputeshin lidhjet me të kaluarën robëruese dhe shqiptarët po e kërkonin një tjetër epokë, një të ardhme në liri.

Kapërcim epokal po dekretohej nga një deklarate e shkruar me gjak.

Ndërkohë, Vjosë, kasta politike e Prishtinës vazhdonte agoninë, pa arritur të kuptonte se bashkëjetesa dhe rezistenca paqësore nuk kishin më asnjë kuptim.

Madje, aksionet e “çmendura” të UÇK-së i trajtonte me cinizëm, duke lënë të kuptohet se në këtë ndërmarrje nuk shihte asnjë mundësi, duke bërë që mes rreshtave të kuptohet mesazhi: “ne u themi inshallah, por nëse arrini ta realizoni synimin do t’iu themi mashallah”. Kaq dhe kështu “kontribuuan” pacifistët.

Por, përkundër faktit që të kujdesshmit hezitonin të hidhnin ndonjë hap, “të çmendurit” ishin të vendosur të mos ndaleshin dhe të shkonin deri në fund. Kështu, aksiomën historike “Liria i ka rrënjët në gjak”, të parët as nuk guxuan ta mendonin, derisa të dytët e derdhnin pa menduar dy herë.

Ata nuk pritën të piqeshin kushtet sepse e kuptuan, ndoshta me një dozë filozofie, që duke pritur të piqen kushtet, kalbeshin dëshirat. UÇK-ja e parandaloi kalbjen e dëshirave duke i krijuar kushtet, pa pritur që të piqeshin.

Gjaku ishte karburanti i vetëm që mund ta lëvizte makinën e amanetit për të arritur te liria. UÇK-ja ishte e vetmja që pranoi të luftojë – edhe kur u shpallën tradhtarë dhe njerëz të UDB-së.

Ata njerëz duruan edhe poshtërimin dhe fyerjet e pushtetit moral të atyre që pinin kafe tarracave të Prishtinës. Dhe është pikërisht një numër i tyre që e ndërtuan rrëfimin për t’i çuar në Hagë, 20 vjet pas çlirimit.

Vjosë dhe Donikë, UÇK tregoi që frika nga gabimi është më shumë gabim se frikë dhe se ishin pikërisht ata që kishin guxim t’i bënin të gjitha gabimit, të njëjtit që e arritën perfeksionin – lirinë.

Në qershor të vitit 1999, Kosova u çlirua, liria erdhi, UÇK-ja e solli dhe kështu u realizua në mënyrën më të përkryer një “çmenduri”. Por, bashkë me lirinë erdhi edhe të kuptuarit e gabimeve që ishin bërë përgjatë një shekulli. Miti i lirisë së pamundur ra. Realizimi i saj nuk ishte më një rrëfim i ndaluar. Ne po e jetonim. Po e ndjenim.

Siç më thoshte një mik i imi që e kishte përjetuar UÇK-në me shkronja, duke lexuar historinë e tyre, ka diçka sublime në gjithë këtë histori;

“UÇK-ja ka qenë më e madhe nga të gjitha organizimit. E madhe në saje të fuqisë që forcën e ka te pafuqia. E madhe në saje të mençurisë, që sekretin e ka te çmenduria. E madhe në saje të shpresës, trajta e së cilës është marrëzia. E madhe në saje të dashurisë, që ishte urrejtje ndaj vetes”.

Prandaj, Vjosë, Donikë dhe ju dy burrat banalë, në diskursin që synon ta njollosë UÇK-në dallohet qartë tentimi për ta relativizuar faktin që në atë luftë të pabarabartë kishte një viktimë dhe një agresor.

Përballë kësaj orkestre shpifëse të udhëhequr nga ju (në vend që të krenoheni me luftën), s’ke si të mos të kujtohet dhe të mos i japësh të drejtë shprehjes së famshme se viktima e parë e çdo lufte është e vërteta. Nëse i lexoni këta rreshta, sepse nuk e kuptoni çfarë ka ndodhur në këtë vend, mos harroni t’ua përcillni edhe atyre dy burrave banalë. (Albanian Post)