Lajme

Për këto vepra akuzohet Rexhep Selimi nga Specialja

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi është paraqitur për herë të parë para Gjykatës Speciale.


Selimi nga Specialja akuzohet për katër vepra penale dhe gjashtë tjera si krime kundër njerëzimit.

Reklamo bizensin tuaj ketu


Kështu ka bërë të ditur sekretari administrativ i Dhomave të Specializuara në Hagë derisa ka lexuar pikat e aktakuzës të cilat e rëndojnë mbi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


“Selimi akuzohet për këto vepra penale si krime lufte që janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme si dhe për këto vepra penale që janë krime kundër njerëzimit që janë: përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave”, u shpreh sekretari administrativ i Speciales.


Theksohet se krimet dyshohen të jenë kryer në disa lokacione në Kosovë dhe në Shqipëri.

Rexhep Selimi si deputet i Kuvendit të Kosovës më 2015 kishte kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale.

Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Rexhep Selimin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Një ditë më parë (të martën) para Speciales doli edhe ish-kryetarit i PDK-së, Kadri Veseli e të hënën ish-presidenti Hashim Thaçi e ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Të tre janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngarkuara nga Gjykata Speciale./Insajderi.org