Bota

Për herë të parë pas një dekade, tkurret popullsia e Gjermanisë

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në fund të qershorit në Gjermani kanë jetuar 83.1 milionë njerëz, që i bie rreth 40.000 ose 0.05 për qind më pak se në gjashtëmujorin paraprak.

Hera e fundit kur ishte shënuar rënie e numrit të popullsisë në këtë shtet ishte pjesa e dytë e vitit 2010. Prej asaj kohe, popullsia është rritur vazhdimisht e më së shumti në pjesën e dytë të vitit 2015, kur dyndja e imigrantëve drejt Evropës kishte ndikuar në shtimin e 717.000 banorëve.

Kjo zyrë tha se arsye për rënien e numrit të popullsisë është zvogëlimi i numrit të imigrantëve nga marsi, kur Evropa u godit nga pandemia, deri në maj. Gjatë kësaj periudhe, popullsia u tkurr për 59.000 banorë.

Shumica e vendeve e paralizuan jetën publike dhe shumë prej tyre, përfshirë Gjermaninë, i mbyllën kufijtë, shkruan AP.

Në qershor, popullsia e Gjermanisë u rrit për 4.000 banorë, që ishte shumë më pak se shtimi prej 14.000 banorësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndryshe, Gjermania është shteti i dytë në Evropë për numrin më të madh të banorëve dhe radhitet pas Rusisë, ku jetojnë rreth 145 milionë njerëz./24-ore.info