Lajme

Pelegrinët kthehen në Mekë, derisa Arabia Saudite lehtëson masat kundër COVID-19

Një numër i kufizuar i njerëzve vizituan të dielën vendin më të shenjtë të islamit në Mekë, kjo pasi Arabia Saudite i hoqi kufizimet të zbatuara me muaj për shkak të coronavirusit.

Sipas medieve të huaja, autoritetet vendore ndërmorën masa të pezullimit të Umras – pelegrinazhi më i vogël që tërheq miliona gjatë gjithë vitit nga e gjithë bota.

Në fillim të muajit mars, coronavirusi u shndërrua në një pandemi globale dhe shumica prej vendeve të botës u detyruan të vendosin masa bllokimi për ta ngadalësuar përhapjen e transmetimit.

Derisa vendet filluan t’i lehtësojnë këto kufizime, qeveria saudite vendosi të dielën që pelegrinazhi të lejohet me 6,000 adhurues në ditë tek Xhamia e Madhe në Mekë.

Vetëm qytetarët dhe banorët sauditë do të lejohen të hyjnë në xhami gjatë kësaj faze të parë të rihapjes, dhe secili adhurues ka kohë tre orë të përfundojë pelegrinazhin.