Kosovë

PDK’ja u tregua e zgjuar që nuk e mori Nismën në koalicion, thotë Imer Mushkolaj

Fatmir Limaj do të hyjë i vetëm në zgjedhje pas dështimit për të lidhur marrëveshje koalicioni me ish-partinë e tij. Analisti politik Imer Mushkolaj e sheh si zgjedhje të duhur të PDK’së moshyrjen në koalicion me Nismën, pasi kjo do ta zvogëlonte numrin e deputetëve të partisë që aktualisht po udhëhiqet nga kryetari në detyrë Enver Hoxhaj. Mushkolaj u shpreh se Nisma Socialdemokrate nuk do ta kalojë pragun në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nisma Socialdemokrate, që zgjedhjet e kaluara bashkë me AKR’në mezi e kaluan pragun zgjedhor, i’a ka mësyrë e vetme procesit elektoral të 14 shkurtit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kryetari i partisë, Fatmir Limaj mbrëmë në “Pressing” të T7.

“Nisma do të shkojë e vetme në zgjedhje të 14 shkurtit. Kemi bërë përgatitje sikur çdo parti”, tha Limaj.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 pas shumë peripecive me numërim e rinumërim të votave Nisma Socialdemokrate në koalicion me AKR’në e Behgjet Pacollit dhe Partinë e Drejtësisë i morrën 42 mijë e 83 vota përkthyer në përqindje 5.002% dhe u futën në Kuvend me 6 deputetë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj e sheh si të pamundur kalimin e pragut nga Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet që po vijnë.

“Unë nuk besoj që Nisma do ta kalojë pragun, e dijmë të gjithë si është kaluar pragu në vitin 2019, e dijmë maskaradën që ka ndodhur në QNR, rinumërime e tjera. Nuk besoj që do ta kaloj pragun, pavarësisht pretendimeve të partisë që një gjë e tillë do të jetë e mundur. Nisma e ka një trup votues jashtëzakonisht të koncentruar në një rajon të caktuar të Kosovës që është zona e Malishevës dhe zonat përreth, pra nuk është që ka një shtrirje të madhe nuk është që ka komuna të tjera që i udhëheqë që do të mund t’i garantonin kalimin e pragut”, ka thënë Mushkolaj për Gazetën Express.

Sipas tij, PDK ka bërë mirë që nuk ka lidhur marrëveshje koalicioni me Nismën sepse PDK’së do t’i zvogëlohej numri i deputetëve pas zgjedhjeve.

“Besoj që prej aspektit strategjik të PDK’së është një veprim i mirë që nuk e kanë marrë Nismën në koalicion. Duhet me pasë parasysh që Nisma e ka votën jashtëzakonisht të  koncentruar dhe mënyra se si votojnë dhe funksionojnë anëtarët e Nismës është interesante në kuptimin që ata votojnë ashtu siç i orienton partia, kur po them kështu e kam fjalën te mos shpërndarje të votës por tek ideja me u fokusu vota. Me marrjen në koalicion të Nismës unë nuk do të habitesha nëse Nisma do t’i merrte 6 deputetë dhe kjo do të ishte një goditje për PDK’në në kuptimin se vota e përgjithshme për koalicionin do të rritej por në anën tjetër do të zvogëlohej fuqia e PDK’së në numrin e deputetëve që do t’i fitonte në Kuvend”, është shprehur ai.

Një arsye tjetër sipas Mushkolajt pse ka ardhur deri tek refuzimi i PDK’së që ta marrë në koalicion Nismën Socialdemokrate ka të bëjë me kryetarin e saj Fatmir Limaj i cili do të ishte target votash për votuesin tradicional të PDK’së dhe kësisoj do të mund të dilte më i votuari brenda koalicionin.

“Arsyeja e dytë pse ka ndodhur ky refuzim i PDK’së unë besoj se është vet emri i Fatmir Limajt, të mos harrojmë se tash PDK ka në detyrë një kryetar i cili nuk ka lidhje shumë me PDK’në kur po them nuk ka se ka lidhje shumë nuk po them se z. Hoxhaj nuk është një kohë të gjatë në PDK por jam duke folur për figurë çfarë votuesit e PDK’së e kanë parë vazhdimisht tek Thaçi ose Veseli në këtë rast Limaj siç e shoh unë do të mund të ishte figura më e rëndësishme brenda koalicionit edhe rreziku për PDK’në që të dalë ai si figura më e votuar do të ishte evident dhe kjo do t’i prishte shumë punë PDK’së”, tha Mushkolaj.

Partia e Limajt që ka një shtrirje më të madhe në rajonin e Malishevës dhe zonat përreth, por kësaj radhe do të hyjë në garë me disa hendikepe, pasi bashkëthemeluesi i partisë, Jakup Krasniqi është aktualisht në Hagë nën akuzat për krime lufte, ndërsa pak kohë më parë ish-deputeti i kësaj partie dhe njeriu i tretë më i votuar i Nismës në zgjedhjet e 2019-tës Haxhi Shala i është bashkuar AAK’së pasi paraprakisht kishte braktisur Grupin e tij Parlamentar.

Madje Haxhi Shala ka intensifikuar aktivitetin e tij elektoral për t’ia marrë anëtarët Nismës Socialdemokrate duke njoftuar për disa aderime në AAK’në e Haradinajt ku edhe është anëtarësuar rishtazi.