Lajme

PDK pas vendimit të Supremes: U konfirmua se votat e ardhura nga diaspora ishin të manipuluara

Partia Demokratike e Kosovës thotë se e mirëpre

Partia Demokratike e Kosovës thotë se e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për votat në Dragash.

Sipas tyre, Supremja konfirmoi “se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar”.

PDK-ja thotë e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme derisa shton se pret që “riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmojë vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani”.

“Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu PDK-ja i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë “çdo person manipulues që ka guxuar të deformoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit që jetojnë jashtë vendit”.

“PDK fton të gjithë qytetarët e Dragashit që do të votojnë me postë që të votojnë lirshëm, pa presion e pa ndikime për kryetarin e Dragashit”.

Procesi i votimit nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 15 nëntor në Dragash, do të përsëritet.

Këtë vendim e ka marrë Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që brenda kornizës ligjore të organizojë përsëritjen e votimit nga jashtë në këtë komunë.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet ndër tjera në aktgjykim./Insajderi.com