Lajme

PDK-ja shtyn për një javë aktivitetet në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet të Kuvendit, si akt solidar për atë që po ndodh me figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.

Në Speciale tashmë është paraqitur edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, që për dy mandate ishte edhe kryetar i Kuvendit.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Së bashku me të, drejt Hagës janë transferuar edhe tashmë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe shefi i Grupit parlamentar të Kosovës, Rexhep Selimi.

“Kosova si shtet dhe shoqëria jonë si bashkësi, janë duke kaluar një rrethanë aspak të zakonshme, për të mos thënë të jashtëzakonshme. Që nga e hëna, dje, si dhe sot, në Hagë janë paraqitur si të akuzuar për krime lufte, drejtuesit kryesor të luftës sonë për liri dhe pavarësi. Për këtë fakt, ky zhvillim natyrisht se prekë traditën e Kuvendit, nëse jo për ndonjë angazhim specifik, së paku për një reflektim solidar. Dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës, përballë këtij zhvillimi, kemi nevojë për reflektim solidar, duke e shtyrë prezencën tonë për një javë, në zhvillimin e zakonshëm të agjendës së këtij kuvendi”, ka thënë Tahiri.

Ai ka ftuar edhe krerët institucionalë “për reflektimi solidar”.

“Ndërkohë që deri në rikthimin tonë në agjendën e zakonshme në Kuvendin e Kosovës në javën e ardhshme, mirëpresim një reflektim solidar edhe nga bartësit e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

PDK-ja ka bërë të ditur këtë vendim, vetëm një orë e gjysmë para se të nisë seanca e paralajmëruar e Kuvendit, ku pritet të votohet në shqyrtim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.