Maqedoni

Pavarësisht ndotjes enorme qytetarët dhe firmat nuk heqin dorë nga djegia e gomave dhe materialeve të tjera të dëmshme

Në gomisteritë e kryeqytetit është shtuar puna në këtë prag të sezonit të ndërrimit të gomave. Në disa të tilla që vizituam nëpër pjesë të ndryshme të Shkupit, na thanë se jo të gjitha gomat e vjetra që i heqin nga automjetet deponohen në vendet e duhura. Ky mjeshtër makinash tregon se disa prej tyre destinohen për djegie nëpër firma të mëdha, të cilat sipas tij, i blejnë me një kosto të ulët.

“Për tek ‘Cementara’ kam dëgjuar se vijnë i marrin për t’i djegur në furra të temperaturave të larta që ju duhen atyre, por sa është në rregull nuk e di. Un s’kam quar, por punoj 10 goma në ditë e ca, ju jap myshterinjve ku duan le t’i çojnë. Unë përpara i çoja deri në Strumicë duke paguar kamionin prej këtu për transport, tani atë nuk e bëj. Me kamionë përpara vinin, tani më një vit nuk vinë sepse nuk po i lejojnë t’i djegin ku i kallshin nga Berova, Dellçeva, Strumica. Përpara vinin, i merrnin dhe bënin gëlqere, duke ndezur zjarr të madh për të shkrirë gëlqeren në kodër”, u shpreh një mjeshtër.

Fabrika për të cilën, po flet ky mjeshtër është hiç më larg se 10 minuta larg qendrës së kryeqytetit. Ndërkaq, disa prej gomisterive kanë edhe oferta të gomave t’vjetra të importuara nga jashtë shtetit.

Në disa uzina të automekanikëve, të cilët nuk lejonin xhirimet me kamerë, kishte koftorë artizanal të përshtatura për të djegur për ngrohje vajin e përdorur motorik.

Amvisëritë vazhdojnë të përdorin metodën shekullore për tu ngrohur gjatë dimrit. Kjo familje pesë anëtarësh për këtë sezonë ka blerë 6 m3 dru me një kosto prej 370 eurove duke shpresuar të mjaftojnë për këtë banesë 120m2. Kryefamiljari tregon se ka siguruar shporet të ri, i cili i ka kushtuar rreth 200 euro. Ai thotë se ia vlen të shpenzohet për tu ngrohur në mënyrë ekologjike.

“Në të kaluarën druri ka qenë si lëndë djegëse elementare për çdo familje dhe nuk ka pasur ndotje të ajrit se sa kemi sot ndotje. Ndotja e ajrit siç mendoj unë shkaktohet prej disa faktorëve, ndezja e zjarreve vend e pa vend. Ndezin goma, plastika, të cilat sigurisht se 100% e ndotin ajrin më tepër se druri. Më parë njerëzit janë ngrohu me dru, por nuk ka pasur sëmundje të ndryshme nga ndotja”, tha një kryefamiljar.

Sot, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se duhet t’i jepet fund keqpërdorimeve të derivatit ekstra të lehtë, e njohur si nafta e kuqe. Për kontrolluar këtë ai tha pas 20 vitesh se ka një laborator mobil, të cilin e përdor Byroja e metrologjisë së bashku me Inspektoratin shtetëror të tregut. Dje nga Ministria e Ekonomisë u tha se 20% e ndotjes së përgjithshme të ajrit në vend shkaktohet nga automjetet, të cilat janë larg standardeve ekologjike. Por, përveç motorëve dizel edhe djegia e gomave të vjetra ka shumëfishuar dendësinë e grimcave PM10 në ajër. Ambientalistët thonë se përveç automjeteve, edhe kundër industrisë së rëndë duhet të ngrihet në këmbë e gjithë garnitura e pushtetit për t’i dhënë fund ndotjes së ajrit. Ndërsa autoritetet thonë se 2/3 e ndotjes vjen nga ngrohja e amvisërive dhe vetëm 1/3 e ndotjes vjen nga automjetet dhe industria e rëndë.

Adnan Qaili

Loading…