Lajme

Pasi fitoi tenderin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Pacolli kërkon që të nisë puna menjëherë

Biznesmeni dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, foli sot lidhur me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës pas nënshkrimit të marrëveshjes për këtë vepër publike. 

Pacolli u shpreh “krenar që një ofertë e tillë ndodh në vendin që e dua dhe në vendin ku më rëndon koka”. Ai kërkoi që të shkurtohen afatet ligjore dhe të niset menjëherë nga puna. Nënshkrimi i marrëveshjes vjen më shumë se një muaj pasi kompania në pronësi të Pacollit “Mabetex International” u shpall fituese për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

“Kjo kontratë ka rëndësinë e vet pasi ndodh pas shumë kohësh dhe pas një mori dëshirash që unë kam pas që një investim i tillë të ndodhë këtu, në trojet tona. Dhe tani kemi këtë kontratë për këtë qytet historik siç është Vlora dhe unë do të thoja që është një rast jashtëzakonisht i mirë, edhe për mua, edhe për kompaninë edhe për partnerët që bashkëpunojnë në këtë projekt”, tha Pacolli.

“Falënderoj Edi Ramën i cili me kujdes ka përcjellë punët të cilat kompania ime ka implimentuar. Gjatë një vizite kur ishim në ato trojë ku kompania ime punon. Nuk është e rastit që kjo punë ti besohet kompanisë sime. Unë kryeministër jam i bindur që kjo ofertë do të ndodhë këtu, dhe të gjithë do jemi krenar”, shtoi ai.

“Do jem krenar unë që një ofertë e tillë ndodh këtu në vendin që unë dua, në vendin ku më rëndon koka, dhe jam krenar që këtë punë e bëj për popullin tim dhe me njerëzit që kanë kontribuar në ndërtimin e Shqipërisë moderne, europiane. Me një vizion të përbashkët ne do tia dalim. Nuk mbetet asgjë tjetër pos të fillojmë punën, dhe siç tha ministrja ti shkurtojmë afatet ligjore sa më tepër”, tha Behgjet Pacolli në fjalën e mbajtur.