Bota Lajme

Pashinyani si “Erdogan i vogël”, shkarkon gjeneralin që ia kërkoi dorëheqjen

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e ka urdhëruar shkarkimin e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, Onik Gasparian, pasi ky i fundit ia kërkoi dorëheqjen shefit të qeverisë.

Pashinyan e akuzoi gjeneralin Gasparian javën e kaluar se po bën përpjekje për puç, kur ky bëri thirrje për dorëheqjen e qeverisë shkaku i menaxhimit të konfliktit të përgjakshëm me Azerbajxhanin, pas të cilit Armenia e humbi kontrollin e disa distrikteve.

Presidenti i Armenisë, i cili ka rol kryesisht ceremonial, ka refuzuar që ta miratojë urdhrin e qeverisë për shkarkimin e komandantit të ushtrisë. Sidoqoftë, ai nuk e dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje. Ekspertët ligjorë kanë thënë se veprimi i presidentit nënkupton që shkarkimi i gjeneralit të futet në fuqi menjëherë, nëse presidenti nuk ankohet në gjykatë deri më 4 mars.

Tensionet politike në Armeni ditëve të fundit kanë qenë të larta. Përkrahësit e kryeministrit Pashinyan në njërën anë dhe përkrahësit e opozitës në anën tjetër kanë mbajtur tubime për ta kundërshtuar njëri-tjetrin, përkatësisht njëri grup për ta përkrahur qeverinë e tjetri për ta kundërshtuar atë.

Pashinyan është përballur me protesta dhe thirrje për dorëheqje që nga përfundimi i konfliktit me Azerbajxhanit në nëntor të vitit të kaluar. Luftimet u ndërprenë pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia. Sipas marrëveshjes, Armenia e dorëzoi kontrollin ndaj disa pjesëve të Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikteve përreth tij, të cilat forcat armene i kishin pushtuar në vitet e nëntëdhjeta.

Gjatë konfliktit që zgjati gjashtë javë, ushtria e Azerbajxhanit u përkrah haptazi nga Turqia dhe përdori dronë të avancuar, duke i shkaktuar shumë humbje armikut. Të dyja palët humbën nga më shumë se 4.000 ushtarë në konflikt.