Lajme

Partia e Veselit në mes dy zjarresh, me LDK’në apo LVV’në?

Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur në mes të dy zgjedhjeve. Në njërën anë është propozimi për një qeveri gjithëpërfshirëse derisa në anën tjetër partia e Albin Kurtit ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti. Cilën anë do të mbajë PDK’ja, apo do të zgjedhë qëndrimin në opozitë?

Qeveria Hoti nuk është duke arritur të sigurojë votat që i duhen në Kuvend për të kaluar projektligje. Tash e sa kohë është duke u diskutuar për mundësinë që në ekzekutiv të bashkohet edhe partia e Kadri Veselit. Megjithatë, në PDK deklarojnë se nuk kanë diskutuar në organe të partisë për këtë çështje.

Kështu ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të PDK’së, Bedri Hamza.

“Në organet e PDK’së nuk është diskutuar kjo çështje, po sigurisht se gjithmonë në politikë ka biseda pozitë – opozitë për rikonfigurim ndryshim”, ka deklaruar ai.

Derisa mundësia që Qeverisë t’i bashkohet PDK’ja nuk e ka gjetur edhe pajtimin e AAK’së, tashmë ka nisur mbledhja e nënshkrimeve që mund ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin Avdullah Hoti.

Edhe me këtë skenar të LVV’së nuk është bashkuar ende PDK’ja. Në këtë subjekt thonë se do t’i bashkohen mocionit, vetëm nëse partia e Albin Kurtit arrin që t’i sigurojë votat që i duhen për ta dërguar mocionin për votim në seancë.

“Kur diskutohet për mocione duhet të diskutohet çka përtej mocionit, e jo me bo një mocion e me dal para mediave me njoftu qe e bona mocionin merre ose leje. Ose me bo përpjekje që ma tepër me bo luftë me partitë opozitare se sa me Qeverinë. Kur bëhen 40 nënshkrime na i jepim votat”, ka thënë Hamza.