24 orë+

Parlamenti Evropian e sheh pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se njohja nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian do t’i bënte mirë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën të votuar të martën. Një ditë më pas, në uebfaqen e PE-së janë publikuar votat e eurodeputetëve për këtë raport. Aty shihet se pro kanë qenë 50 vota, dhjetë kundër e nëntë abstenime.

Në raportim e së martës, eurodeputetët kanë mirëpritur përkushtimin e Kosovës për avancimin në rrugën drejt Evropës, por kanë shprehur shqetësime për jostabilitetin politik në vend. Shqetësime janë shprehur edhe për nivelin e dobët të implementimit të luftës ndaj korrupsionit.

Raportet me Serbinë janë parë si prioritet dhe parakusht për hyrjen e të dy vendeve në BE.

Eurodeputetët kanë kërkuar nga të dy vendet të përmbahen nga çfarëdo aksioni që mund të minojë besimin mes palëve dhe të vazhdojnë në mënyrë konstruktive me dialogun, duke kërkuar nga Kosova të tejkalojë “problemet e vazhdueshme të brendshme”.

“Eurodeputetët kanë vënë në theks se pesë shtete anëtare të BE-së s’e kanë njohur Kosovën dhe kanë përsëritur thirrjen e tyre për ta bërë këtë. Ata kanë theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet anëtare do t’i bënte mirë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim të PE-së.

Eurodeputetja Viola Von Cramon ka thënë se rezultati pro raportit “tregon se shumica e Parlamentit Evropian përkrah Kosovën në rrugën e saj evropiane”.

Ajo ka ftuar edhe një herë Evropën që të liberalizojë vizat për kosovarët.