Lajme

Paralajmëron Vuçiq: Vazhdimi i dialogut me Kosovën – më 10 dhjetor

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, transmeton Insajderi.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se dialogu pritet të vazhdojë më 10 dhjetor, duke shtuar se do të diskutojnë rreth pronës dhe kërkesave financiare.

Ai tutje u shpreh se “nuk është i sigurt nëse Prishtina dëshiron të zbatojë diçka nga dialogu, për shkak të arsyeve të brendshme”.

Lidhur me këtë, Vuçiq tutje deklaroi se pas bisedës telefonike të realizuar sot me kancelaren gjermane, Angela Merkel, pozicioni i Gjermanisë në këtë çështje nuk ka ndryshuar.

Kosova dhe Serbia zyrtarisht janë të përfshira në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mirëpo një takim në nivel liderësh, i parashikuar të mbahet në fund të shtatorit, është shtyrë vazhdimisht, nën arsyetimin e bllokimit nga pandemia.

Por, pandemia nuk ka penguar takimin e datës 29 tetor, të shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni dhe Petar Petkoviq në Bruksel, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve. /Insajderi.com