Kronika e Zezë

Pandemia nxiti vetëvrasjet, 31 persona i morën jetën vetës për 11 muaj

Ndryshimet drastike në jetë si pasojë e COVID-19, tek shumë njerëz po manifestohen me çrregullime të shëndetit mendor. Pandemia e koronavirusit nxiti rritjen e shkallës së vetëvrasjeve anë e kënd botës.

Krahas rritjes së numrit të personave të infektuar dhe atyre që vdesin nga COVID-19, këtë vit është shtuar edhe numri i njerëzve që po vuajnë çrregullime të shëndetit mendor.

Ditën e sotme një person rreth 50-vjeçar dyshohet se bëri vetëvrasje. Viktima është pronar i ‘Veneta Travel’. Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë kanë nisur hetimin, por ende nuk kanë dhënë detaj të qarta se si ndodhi rasti.

Dy raste tjera të rënda shokuan vendin në javën e fundit, njëra mbrëmjen e 30 dhjetorit në Pozhoran të Vitisë, ku një burri pasi vrau gruan dhe dy djemtë e tij vrau edhe veten. Krejt ky akt dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshje, raporton lajmi.net.

Një rast tjetër i vetëvrasjes, i shoqëruar edhe me vrasje ishte ai, ku një zyrtar policor nga Prizreni me 15 dhjetori të këtij viti, vra vajzën e tij 20-vjeçare e më pas edhe veten. Dyshohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani edhe të familjarëve të tjerë.

Rast që shokoi vendin tonë në kohën kur po përballeshim me pandeminë Covdi-19, ishte edhe vetëvrasja e 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, që në atë kohë po shfrytëzohej si karantinë.

Agon Musliu nga fshati Livoq i Gjilanit, student i masterit në Gjermani, i cili u kthye në Kosovë në maj të këtij viti, kreu vetëvrasje duke u hedhur nga kati i pestë i konvikteve.

E numri i vetëvrasjeve në 11 mujorin e këtij viti nuk ishte i vogël, 28 persona vetëm në këtë periudhë i morën vetës jetën sipas statistikave të Policisë së Kosovës. Ndërsa lajmi.net ka llogaritur edhe tri rastet e fundit me vetëvrasje, që i bie 31.

Por si ndikoi Covid-19 në psikologjinë e njerëzve?

Psikologu, Sami Hajrulluahu duke folur për lajmi.net thotë se në aspektin e shëndetit mendor pandemia ka shkaktuar një varg çrregullimesh psikologjike me theks të veçantë: ankth, depresion dhe çrregullime emocionale.

“Në historinë tonë të re Pandemia e Covid-19 po duket të jetë kriza globale më e madhe ndonjëherë si në aspektin psikologjik ashtu edhe në atë social dhe ekonomik. Masat e vendosura nga IKSHP-ja si: distancimi social dhe karantinimi-izolimi në njërën anë janë vendosur për të mirën e përgjithshme të komunitetit, pra për të kontrolluar dhe parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të virusit gjersa në anën tjetër kjo ka prodhuar efekte anësore psikologjike tejet negative dhe me pasoja shumë të rënda dhe afatgjata”, ka thënë Hajrullahu.

Ai tutje shpjegon se vetëvrasja si dukur ka histori të gjatë dhe shkaqet kryesore që njohim deri më tani janë pikërisht ankthi, depresioni i ardhur si rezultat i izolimit social, papunësia e vështirësitë ekonomike.

“Vetëvrasja si dukuri ka historik të gjatë të veprimit dhe shkaktarët kryesorë të mendimeve, ideve, apo sjelljeve për vetëvrasje që njohim deri më tani janë pikërisht: ankthi i madh dhe depresioni i ardhur si rezultat i izolimit social, papunësisë dhe vështirësive ekonomike-financiare. Andaj nëse personi i caktuar ndihet i mbingarkuar nga mendimet për të mos dashur të jetoj më ose ka ide për vetëvrasje, urgjentisht duhet të kërkoj ndihmë tek psikologu, mjeku, shoku, miku apo prindi. Mediat sociale po ashtu mund të luajnë një rol tejet të rëndësishëm duke promovuar rolin e shëndetit mendor dhe rëndësinë që e ka psikologu në lehtësimin e ngarkesave psikologjike dhe parandalimin e vetëvrasjeve”, shpjegon tutje Hajrullahu.

Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar për lajmi.net numri më i madh i vetëvrasjeve gjatë kësaj periudhe në vendin tonë ishte në komunën e Prizrenit me gjithsej shtatë, në Gjilan gjashtë, Pejë pesë, Prishtinë e Mitrovicë nga tre raste, Ferizaj dy raste dhe Gjakovë e Mitrovicë e veriut me nga një rast.