Shqipëri

Osmani uron Metën për 28 Nëntorin: Lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e Shqipërisë Ilir Meta dhe gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osmani nëpërmjet një telegrami dërguar homologut shqiptar ka thënë se Dita e Flamurit është e veçantë, ndaj duhet rikujtuar trashëgimia historike e kulturore.

Ajo tha se flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit shqiptar në histori, “prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i Osmanit dërguar presidentit Meta.

Për nder të Ditës së Flamurit Kombëtar shqiptar, në sheshet e kryeqytetit të Kosovës janë vendosur sot flamuj kombëtar kuqezi. Gjithashtu, në qendër të Prishtinës për nder të 108-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari do të mbahen edhe paraqitje të ndryshme kulturore-artistike.