Kosovë

Osmani: Nuk kam pasur kërkesë dhe nuk e shoh të arsyeshme të jem pjesë e dialogut

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha sot para mediave se në situatën e tanishme politike në vend nuk do të ishte e favorshme për Kosovën që të zhvillojë bisedime në Bruksel me Serbinë.

Osmani tha se pas takimit që ka pasur me kryeministrin Hoti, shefi i ekzekutivit i ka thënë se nuk kanë pasur ftesë nga BE’ja për ndonjë takim në ditët e ardhshme, raporton Gazeta Express.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Nuk e vlerësoj që do të ishte e favorshme për Kosovën, ndërkaq ai ka thënë se nuk ka plan për ndonjë takim në ditët e ardhshme dhe as nuk kanë pasur ftesa nga BE’ja. Kam kërkuar që të ketë spektri politik i Kosovës të takohet dhe të ketë qëndrim të përbashkët rreth procesit të dialogut dhe të ndërtohet një qëndrim më i unifikuar. Mbrojtja e interesit të Kosovës është mbi të gjitha”, ka thënë Osmani.

Tutje, Osmani u shpreh se nuk ka pasur kërkesë që të përfshihet në dialogun e Brukselit dhe nuk e sheh si racionale përfshirjen e saj pasi nuk ka qenë pjesë prej fillimit. “Si ushtruese e detyrës së Presidentit askush nuk ka kërkuar që unë të përfshihem në dialog, nga kjo pozitë e kam të domosdoshme që forcat politike të kenë qëndrime të përbashkëta se si përfaqësohet Kosova. Nuk besoj që do të ishte racionale që të jem e përfshirë në proces pasi që nuk kam qenë e përfshirë nga fillimi”, tha Osmani.