Lajme

Osmani në Prekaz: Nderimi për heronjë e rënë, të punojmë ndershëm dhe drejtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë ho

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari ku u shpreh se nderimi më i madh që mund të ia bëjmë te gjithë heronjve do të jetë në qoftë se punojmë mirë, punojmë drejt dhe punojmë ndershëm për qytetarët tanë, njofton Insajderi.

“Familja Jashari është shndërruar në simbolikën më të madhe të trimërisë, sakrificës dhe vetëmohimit për të gjithë ne që i mbijetuam tmerrit dhe gjenocidit të shkaktuar nga shteti serb”, tha Kryetarja e shtetit për KP.

Vizitën e së martes së 6 prillit në Kompleksin Memorial në Prekaz, Osmani e ka bërë në ditën e saj të parë të punës si presidente.

Ajo shtoi se “Sakrifica e familjes Jashari qëndron në themelet e lirisë sonë dhe si e tillë duhet jo vetëm të kujtohet por ta përcjellim brez pas brezi, të mësohet nga gjeneratat e reja nga fëmijët tanë, por edhe nga fëmijët e fëmijëve tanë në mënyrë që të gjithë ta kuptojmë që ishte pikërisht këtu ku u pagua çmimi më i lartë për lirinë të cilën e gëzojmë sot”.

“Prandaj edhe kujtimi i tyre është shndërruar në përjetësi, është shndërruar në udhërrëfyesin dhe dritën më të rëndësishme në hapat që ne i bëjmë përpara për ta shtyrë Kosovën tonë, shtetin tonë të dashur drejt sukseseve”, ka shtuar Osmani.

Osmani në Prekaz është pritur nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ky i fundit u shpreh duke thënë se uron të ketë unitet në mes të gjithë spektrit politik, të gjithë liderëve që vendi te ecë në rrugë të drejtë e përpara. /Insajderi.com